225 policë janë vrarë në krye të detyrës në Shqipëri
Saimir Hoxha, efektivi që u vra këtë të martë, u shtohet policëve që krimi u ka marrë jetën në krye të detyrës. Plumbat qëlluan për vdekje 44-vjeçarin, që la pas dy fëmijë jetimë, duke u bërë efektivi i 225 që do të kujtohet me nderim në memorialin pranë Ministrisë së Brendshme.
Arben Zylyftari, ish-drejtor i përgjithshëm i policisë u vra gjatë një operacioni të policisë në Shkodër nga Admir Tafili. Në të njëjtin vit, Ilir Ngresi u ekzekutua në një atentat të organizuar nga Dritan Zhuka.
Një nga ngjarjet më të rënda që ka goditur uniformat blu ka qenë vrasja e shefit të Komisariatit të Fushë-Krujës, Gani Malushit, i cili u qëllua me breshëri nga Agim Pepa në vitin 2003.
Në vitin 2009, vendi u trondit nga ekzekutimi i katër punonjësve të policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Saimir Duçkollari dhe Kastriot Feskaj. Të katër efektivet u vranë gjatë një operacioni për kapjen e Dritan Dajtit.
Ndër ngjarjet me tragjike për efektivët e policisë ka qenë edhe vrasja e ish-komisarit Artan Cuku apo edhe ajo e komisarit Dritan Lamaj, që u qëllua për vdekje në pranë shtëpisë së tij nga Arben Frroku.
Vrasja e Ibrahim Bashës gjatë aksionit kundër kultivuesve të kanabisit në Lazarat ka qenë një goditje po aq e rëndë për policinë. Efektivi u qëllua nga një grup që kultivonte drogë dhe që kishin organizuar prite kur policët të hynin në fshat. /Tv Klan/