26 mijë gjoba në një javë, policia me kontrolle me dronë dhe radarë
Me porosi të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, policët rrugorë u hoqën nga rruga, por kjo nuk do të thotë se nuk ka më gjoba.
Në vend të postblloqeve të policisë për kontrolle rutinë, tashmë janë intensifikuar monitorimet me mjete inteligjente në të gjithë vendin, me objektiv rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, veçanërisht gjatë fundjavës, në akset nacionale drejt zonave turistike dhe bregdetare, pasi rritet fluksi i lëvizjes së automjeteve.
Gjatë javës së fundit, në të gjithë vendin, janë vendosur rreth 26 mijë gjoba për shkelje të ndryshme, si: mospërdorim i kaskës mbrojtëse, mosvendosje e rripit të sigurimit, përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit, parakalime të gabuara, drejtim i mjetit nën efektin e alkoolit, për zhurma apo manovra të rrezikshme me automjet dhe shkelje të tjera.
Gjithashtu, janë arrestuar 48 drejtues mjetesh, nga të cilët 26 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 22 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Kontrolle ka pasur edhe në qendrat e banuara, për parkimet e gabuara që pengojnë lëvizjen e lirë të mjeteve të emergjencës, krijojnë fluks në trafik apo pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve në trotuare.
Për lirimin e këtyre hapësirave është përdorur karrotreci, duke zhvendosur 258 automjete të parkuara në korsi të dedikuara, në trotuare apo në vende ku ndalohet parkimi.
KOHA JONË SONDAZH

