28-vjeçari është prangosur pas disa orësh nga policia e Kavajës, për kanosje me armë
Një 28-vjeçar është vënë në prangat e policisë në Kavajë, pasi më herë gjatë ditës së sotme kanosi me armë dy persona në një lokal në Kavajë dhe goditi me qytën e pistoletës pronarin e lokalit.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se:
U fut i armatosur në një lokal, kanosi klientët, goditi me qytën e pistoletës pronarin e lokalit dhe, për t’i shpëtuar Policisë, u largua me shpejtësi me automjet, duke dëmtuar edhe dy automjete të qytetarëve.
Kapet pas disa orësh kërkimesh dhe ndjekjeje nga shërbimet e Policisë.
Pas disa orësh kërkimesh, 28-vjeçari u lokalizua dhe u kap në një hotel te Shkëmbi i Kavajës, nga shërbimet operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë.
Gjatë tentativës për t’u larguar, 28-vjeçari hodhi armën e zjarrit, e cila u gjet gjatë kontrollit në terren dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë morën njoftim, rreth orës 09:40 të ditës së sotme, se një shtetas i armatosur kishte hyrë në një bar-kafe në lagjen nr. 2, në qytetin e Kavajës, ku kishte kanosur klientët dhe kishte goditur me qytën e pistoletës pronarin e lokalit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në adresën e dhënë, por shtetasi i armatosur, për t’i shpëtuar Policisë, ishte larguar me shpejtësi me automjet dhe, gjatë largimit, kishte dëmtuar edhe një automjet të parkuar.
Shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje, duke koordinuar veprimet me Forcat Operacionale të DVP Durrës.
Gjatë ndjekjes, si pasojë e shpejtësisë së lartë, shtetasi i armatosur humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe u përplas me trafikndarësen dhe me një automjet tjetër.
Më pas, ai braktisi automjetin dhe u largua nga vendi i aksidentit.
Shërbime të shumta të Policisë vijuan kontrollet në zonë.
Pas disa orësh kërkimesh, duke përdorur dhe metodat speciale të hetimit, Forcat Operacionale të DVP Durrës bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit M. C., alias M. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, person me precedent kriminal në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Gjatë kontrollit të territorit, u gjet në një kanal dhe u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, dhe gjatë kontrollit në automjetin tip Range Rover në përdorim nga 28 vjeçari u gjet krehëri me municion luftarak.
Nga hetimet paraprake rezulton se 28-vjeçari ka kanosur dy klientë të lokalit dhe ka goditur në kokë, me qytën e pistoletës, pronarin e lokalit, shtetasin S. V., 64 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
KOHA JONË SONDAZH

