29-vjeçari nga Vora dyshohet se nisi konfliktin, turisti portugez u sulmua në grup
Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi për vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes, i cili humbi jetën pas një konflikti në Ksamil. Sipas policisë, ngjarja nisi në ambientet e lokalit “Principote”, ku 29-vjeçari David Heurtevent, banues në Vorë, dyshohet se u konfliktua fillimisht me turistin portugez dhe e goditi me grushte. Më pas, në përleshje dyshohet se u përfshinë edhe disa punonjës të lokalit.
Situata agravoi më tej kur Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, 29 vjeç, dyshohet se ndërhyri në konflikt dhe goditi disa herë me thikë 20-vjeçarin. Plagët rezultuan fatale. Për ngjarjen, Sokrat Vata është arrestuar dhe dyshohet si personi që kreu goditjet me thikë, ndërsa David Heurtevent është shpallur në kërkim. Të dy janë nën hetim për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Në pranga kanë përfunduar edhe persona të tjerë, mes tyre punonjës të lokalit, të cilët dyshohet se janë përfshirë në përleshje ose nuk kanë njoftuar autoritetet pas ngjarjes. Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e konfliktit dhe përgjegjësinë e secilit person në ngjarjen që përfundoi me vdekjen e turistit 20-vjeçar.
KOHA JONË SONDAZH

