3 vjet i rënies së kapitenit Vogli, Kodheli: Krenare për gjithçka bëni në emër të atdheut
Ministria e Mbrojtjes ka organizuar një ceremoni përkujtimore në mjediset e Batalionit të Forcave Speciale në Zall-Herr me rastin e 3-vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli.
E pranishme në ceremoni, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, tha se 20 shkurti është një ditë për t’u nderuar dhe gjithkush e kujton atë në mënyrë të ndryshme.
“Forcat e Armatosura Shqiptare, janë krenare për gjithçka bëjnë në emër të atdheut, të lirisë dhe paqes. Ata janë të paprekura nga askush që këtë Forcë kërkon ta bejë pis dhe kërkon t’ia ulë kokën”, është shprehur ministrja Kodheli.
Gjatë fjalës së saj në ceremoni, ministrja Kodheli premtoi se do të ketë përkushtim maksimal nga ana e saj për përmirësimin e kushteve të punës për ushtarakët.
“Forcat e Armatosura Shqiptare, ka vijuar më tej ministrja Kodheli, janë krenare për gjithçka bëjnë në emër të atdheut, të lirisë dhe paqes. Ata janë të paprekura nga askush që këtë Forcë kërkon ta bejë pis dhe kërkon t’ia ulë kokën. Këtë e them, sepse thellë nga zemra më dalin vetëm ca fjalë; Ju lumtë për çka përfaqësoni, ju lumtë për çka bëni. Ne do mbetemi kurdoherë në respekt të asaj që ju çdo ditë bëni bashkë me kolegët tuaj. Ju jeni pjesë e Batalionit Special. Ju duhet t’i tregoni vetes dhe gjithkujt se jeni vërtetë më të mirët, ju jeni forca speciale. Ne mundohemi që dinjitetin tuaj ta bëjmë më të fortë e më të qëndrueshëm. Unë besoj te ju, por nuk i bie gjoksit se kam vizituar Kabulin dhe Kandaharin, unë i bie gjoksit për të përmirësuar çdo ditë ambientin dhe kushtet e punës tuaj. E bëj këtë me forcën e një gruaje, dashurinë për atdhetarizmin”, tha Kodheli.
Më pas, ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, general-major Jeronim Bazo, bënë homazhe dhe vendosën buqeta me lule pranë bustit të Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli.
Më 20 shkurt të vitit 2012, kapiten Feti vogli ra heroikisht gjatë kryerjes së misionit COMBAT “Eagle 4”, në Kandahar të Afganistanit.
KOHA JONË SONDAZH

