30 mijë dosje që presin në Gjykatën e Lartë, duhen 20 vjet punë për t’u gjykuar
Deri në fund të vitit 2019 në Gjykatën e Lartë janë depozituar 30 mijë dosje, që presin të gjykohen. Reforma në Drejtësi, largimi i disa prej gjyqtarëve për shkak të procesit të vettingut e ka futur këtë nivel të gjyqësorit në një kolaps dhe për pasojë edhe qytetarët që presin me dekada zgjidhjen e çështjeve.
Nëse Gjykata e Lartë do të plotësohej me trupë të re gjyqësore prej 19 anëtarësh dhe kolegjet të nisnin punën rregullisht, për të marrë vendim për rekurset që presin do të duheshin rreth 20 vjet nëse e përllogarisim eficiencën me mesataren e vitit 2015 (më e mira e 5 viteve të fundit).
Me një përllogaritje hipotetike, nëse Gjykatës së Lartë do t’i kërkohej që ta evakuonte backlog-un e saj në vetëm 1 vit (pa pranuar asnjë rekurs deri në evakuimin e plotë të stokut të dosjeve), do të duhej që të jepeshin 107 vendime përfundimtare çdo ditë pune (për 280 ditë punë që ka viti). Çdo kolegj do të duhej të merte 36 vendime në një ditë të vetme pune.
Për të përballuar volume të tilla, Gjykata e Lartë do të duhej të kishte një trupë gjyqësore me të paktën e dyfishit e anëtarëve dhe trefishin e ndihmësave ligjore. Nëse GJykata e Lartë do të ketë të njëjtën trupë gjyqësore siç ka patur, pra me 19 anëtarë, me nga dy këshilltarë secili, ajo është e destinuar të zvarrisë shqyrtimin gjyqësor pashmangshmërisht për shkak të backlog-ut që trashëgon.
Rrjedhimisht një nga premisat e Reformës në Drejtësi, që ishte eleminimi i zvarritjes së proçeseve gjyqësore, rrezikon të mbetet objektiv i parealizueshëm në Gjykatën e Lartë.
Procesi i vetingut ndikoi negativisht në eficencën e Gjykatës së Lartë. Në vitin 2015, përpara Reformës në Drejtësi, Kolegj Administrativ shqyrtonte dhe merrte vendim për 710 rekurse. Ndërkohë, në vitin 2019, u vendimuan vetëm 12 rekurse administrative, “0” rekurse civile dhe “0” rekurse penale.
Nga ana tjetër, procesi i vetingut ekspozoi para publikut probleme serioze të integritetit të trupës gjyqësore të kësaj gjykate. Rasti më flagrant ishte ai i gjyqtarit Admir Thanza, i cili u kishte fshehur autoriteteve shqiptare faktin se një gjykata italiane e kishte dënuar në vitin 1999 me vendim të formës së prerë (me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë).
Dënimi i tij penal në Itali u zbulua nga përfaqësuesit e ONM-së. Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor ish-gjyqtarin A. Thanza dhe e dënoi me 9 muaj burg, të konvertuar në 18 muaj shërbim prove.
Më parë, një tjetër anëtare e Gjykatës së Lartë, znj. Majlinda Andrea u përfshi në marrje ryshfeti për një vendim pronësor. Ky skandal gjithashtu goditi rëndë reputacionin e Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit, me vendim penal Nr. 8/25, date 14.06.2017 shpalli fajtor të pandehuren Majlinda Andrea për veprën penale të “korrupsionit pasiv te gjyqtareve, prokuroreve dhe funksionareve te tjerë te organeve të drejtësisë “.
Prania e personave të tillë në trupën gjyqësore të Gjykatës së Lartë përbën padyshim një skandal me përmasa dramatike. Rrethana të tilla kanë legjitimuar plotësisht vetimin e ashpër të gjithë trupës gjyqësore të Gjykata e Lartë, që përfundoi në Korrik 2019 me largimit e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Besimi tek Gjykata e Lartë ka marrë goditje të rëndë.
Pamundësia e organeve të reja gjyqësore, por edhe e institucioneve të larta vendimarrëse për të menaxhuar krizën e thellë që ekspozoi procesi i vetingut në Gjykatën e Lartë është tregues që nuk flet në favor të një planifikimi të kujdesshëm. Ligjvënësit shqiptarë duhet të kishin parashikuar “planin e kontigjencës” për një situatë të tillë të paprecedentë.
Organet e reja gjyqësore duhet të marrin në dorë situatën pa vonesa dhe pa justifikime të mëtejshme, duke nxjerrë si fillim vendimin për organikën.
Zbrazja e Gjykatës së Lartë nga trupa gjyqësore ka prodhuar një moment të vështirë jo vetëm sa i takon palëve që kanë depozituar rekurse, por edhe për gjithë sistemin gjyqësor në tërësi, i cili tashmë nuk orientohet dot përmes praktikës së unifikuar. Si organ emërtese, Gjykata e Lartë, tashmë e zbrazur, ka paralizuar vendimarrjen për trupën e Gjykatës Kushtetuese.
Rreth 60% e këtyre rekurseve kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore, pensionet e ushtarakëve dhe pushime nga puna. Sa i takon këtyre të fundit, rezulton se Gjykata e Lartë ka dhënë vendime të ndërmjetme për pezullim ekzekutimi të vendimit të apelit, ku shteti ka qenë palë humbëse.
Kjo konsiderohet një praktikë negative, madje antikushtetuese, që ka mohuar drejtësinë për qytetarët që kanë fituar në Apel. Për më tepër, ajo rrezikon të rrisë në përmasa domethënëse kostot që mund t’i faturohen taksapaguesve shqiptarë në një kohë të dytë sa i takon dëmshpërblimeve nëse rekurset fitohen nga individët kur Gjykata e Lartë të rifillojë punën sërish.
Trendi rënës për Gjykatën e Lartë u bë shumë i ndjeshëm në vitin 2018, ku u dhanë gjithsej 217 vendime, rreth 1300 më pak krahasuar me 2015-ën kur nuk kishte nisur ende Reforma. Në 2019 u morën vetëm 12 vendime deri në muajin Prill. Rekurseve që presin të shqyrtohen i janë shtuar kësisoj rreth 2 vjet vonesa, këtë herë jo për pasojë të eficencës problematike të Gjykatës së Lartë, por si pasojë e Reformës në Drejtësi dhe mos-plotësimit të vakancave.