30 vatra zjarri aktive në vend – Evakuime dhe ndërhyrje nga ajri e toka. Zjarr i madh te Kodra e Diellit në Tiranë
Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të jetë alarmante, me 30 vatra aktive të evidentuara gjatë 24 orëve të fundit. Flakët kanë përfshirë disa qarqe të vendit, duke shkaktuar rrezik për banesa dhe duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga zjarrfikësit, Forcat e Armatosura, mjetet ajrore dhe dhjetëra vullnetarë.
Në orët e vona, rreth orës 21.00 mësohet se një zjarr i madh sillet përreth Kodrës së Diellit në Tiranë, ku janë qindra banesa. Zjarrfikësit dhe policia janë në luftë me zjarrin te Kodra e Diellit.

Në foto: Zjarri në Selitë që po përhapet nga era e fortë.
Si është situata në rrethe?
Qarku Vlorë – Në Bashkinë Finiq, zjarri ka kaluar në fshatin Krane, përballë Syrit të Kaltër, duke rrezikuar zonat Krongj dhe Leshnicë e Poshtme. Në operacione po marrin pjesë 3 mjete zjarrfikëse dhe 12 efektivë të MZSH Finiq, të mbështetur nga FA me 4 mjete, 30 trupa dhe 1 grup i FNSH. Nga ajri janë angazhuar helikopteri i FA-së, 2 avionë PZL grekë, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Në Parkun “Rëzom”, në majën e “Lucës”, terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen tokësore. Zjarre të tjera po përballohen në Bolenë, Tërbaç, Lukovë dhe Ninat.
Qarku Berat – Situata më e rëndë paraqitet në Bashkinë Poliçan, ku flakët kanë kaluar mbi ujësjellës dhe pranë banesave, përfshirë Azilin e të Moshuarve. Po evakuohen banorë në fshatin Plirëz dhe Rehovë, ku një shtëpi dykatëshe është përfshirë nga flakët. Në Skrapar punohet për të shmangur rrezikun për banesat. Në terren janë 25 efektivë zjarrfikës, 60 ushtarakë, forca të policisë dhe helikopteri i FA-së.
Qarku Tiranë – Zjarre aktive në Malin e Bërzhitës, Arbanë, Rrogozhinë dhe Kavajë. Në disa prej tyre po operon edhe avioni “Canadair” kroat, i mbështetur nga forca zjarrfikëse dhe policia bashkiake.
Qarku Durrës – Në Malin e Krujës dhe fshatin Barkanesh, riaktivizimi i vatrave dhe terreni i vështirë po pengojnë ndërhyrjen.
Qarku Gjirokastër – Në Lekël të Tepelenës, flakët kanë arritur në drejtim të Hormovës dhe faqes së malit të Golikut. Forcat zjarrfikëse dhe ushtria po punojnë për izolimin e zjarrit.
Qarqe të tjera – Në Lezhë, Dibër, Elbasan, Shkodër dhe Kukës, vatrat janë nën monitorim të vazhdueshëm, por era e fortë dhe temperaturat e larta po e bëjnë situatën të paqëndrueshme.
Mjetet ajrore të angazhuara përfshijnë: 1 “Canadair” nga Kroacia, 2 avionë PZL nga Greqia, 1 “Black Hawk” nga Çekia, 1 nga Sllovakia, si dhe 2 “Black Hawk” të Forcave të Armatosura shqiptare. Pritet ndërhyrja e 2 “Black Hawk”-ve nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal dhe denoncim të menjëhershëm të çdo vatre të re, për të shmangur përhapjen e flakëve dhe rrezikimin e jetëve e pronave.
KOHA JONË SONDAZH
A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?
Results
Vota totale: 6823

