30 vite pritje marrin fund, kryebashkiaku Beci poston pamjet: Nis asfaltimi i rrugës në Domën
Ka nisur asfaltimi i rrugës në fshatin Domën, në Njësinë Administrative Postribë, një ndërhyrje e kërkuar prej dekadash nga banorët e zonës. Punimet janë inspektuar nga afër nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili gjatë vizitës është takuar edhe me banorët e fshatit. “Është një nga pikat më të bukura, është një fshat i harruar, por shumë i bukur. Kemi ardhur me investimin e asfaltit, po lidhim shkollën me xhaminë. Kjo zonë është brenda Paketës së Maleve dhe do të zhvillohet”, deklaroi Beci.
Investimi është pjesë e ndërhyrjeve që Bashkia Shkodër po kryen për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në njësitë administrative. Banorët e Domënit shprehen se për asfaltimin e këtij segmenti kanë pritur prej rreth 30 vitesh. Sipas tyre, mungesa e një infrastrukture të përshtatshme ka ndikuar ndër vite në largimin e banorëve dhe në braktisjen graduale të fshatit.
Tashmë, rruga e re shihet si një mundësi për të ndryshuar situatën dhe për t’i dhënë zonës më shumë mundësi për zhvillim. “Kjo është një gjë e mirë, sepse bën që njerëzit të kthehen dhe të investojnë këtu”, u shpreh një prej banorëve. Domënit, i njohur për pozicionin e tij të veçantë dhe panoramën mbi qytetin e Shkodrës, i është dhënë edhe emërtimi “ballkoni panoramik i Shkodrës”.
Përmirësimi i infrastrukturës pritet të ndikojë në rritjen e aksesit në zonë, si dhe të krijojë më shumë mundësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të saj. Domëni është përfshirë gjithashtu në kuadër të Paketës së Maleve, e cila synon të nxisë investimet dhe zhvillimin e zonave malore.
KOHA JONË SONDAZH
A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?
Results
Vota totale: 4038

