33 shërbime të AKSHI-it, tashmë mund të aksesohen pranë sporteleve të Postës Shqiptare

Posta Shqiptare dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për ofrimin e 33 shërbimeve të portalit e-Albania, në zyrat postare.

Duke filluar nga data 28 Janar 2019, qytetarët shqiptarë mund të marrin pranë sporteleve të Postës Shqiptare, shërbimet që ofrohen nga portali e-Albania, nga të cilat 23 shërbime janë për individët dhe 10 shërbime janë për bizneset.

Posta Shqiptare është një kompani publike e orientuar drejt kostos, duke ofruar çmime konkuruese në treg. Për shërbimet e mësipërme, tarifat do të jenë 50 lekë për individët dhe 100 lekë për bizneset.

Portali e-Albania është tashmë i aksesueshëm nga sportelistët e zyrave postare, me qëllim që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë shërbimet elektronike të institucioneve publike të ofruara nga ky portal.

Posta Shqiptare e ofron këtë shërbim, pasi disponon rrjetin postar me shpërndarjen më të gjerë territoriale, infrastrukturën e nevojshme dhe stafin e trajnuar për t’iu përgjigjur në kohë dhe me efikasitet kërkesave të qytetarëve.

Së bashku me ofrimin e një sërë shërbimesh bazike për individin dhe biznesin, si: pagesa e tatim-taksave, taksat vendore, etj., 33 shërbimet e portalit e-Albania, do të ofrojnë një portofol të plotë shërbimesh, me një ndalesë të vetme në sportel.

SHKARKO APP