35 ditë revoltë, Diaspora “zbarkon” sot në Tiranë, protestuesit këmbëngulin
Sot në orën 19:00 pritet të zhvillohet protesta e 35-të me pjesëmarrje të gjerë qytetare, ku kërkesa kryesore mbetet largimi i qeverisë dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, e cilësuar nga organizatorët si e panegociueshme.
Sipas njoftimeve të tyre, kjo protestë ka karakter mbarëkombëtar dhe në të pritet të bashkohet edhe diaspora shqiptare. Pretendohet se shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit janë nisur drejt Tiranës që prej ditës së djeshme për t’iu bashkuar tubimit dhe për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj kësaj lëvizjeje që, sipas organizatorëve, ka vijuar për 35 ditë rresht.
Në këtë kontekst, raportohet gjithashtu se autoritetet policore kanë paralajmëruar kontrolle të detajuara për çdo shtetas shqiptar që hyn në territor gjatë këtyre ditëve. Organizatorët e protestës e kanë interpretuar këtë masë si një përpjekje për të kufizuar pjesëmarrjen e diasporës në protestën që pritet të zhvillohet në kryeqytet.
Grumbullimi i qytetarëve është planifikuar të nisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas pjesëmarrësit do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë. Aty pritet që protestuesit të artikulojnë kërkesat e tyre dhe të vijojnë tubimin në mënyrë të organizuar.
Kërkesa kryesore që përsëritet nga organizatorët mbetet dorëheqja e kryeministrit, ndërsa ata kanë deklaruar se protestat nuk do të ndalen derisa kjo kërkesë të plotësohet. Ata i kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë sa më masivisht në këtë protestë, të cilën e konsiderojnë vazhdim të një serie demonstratash të përditshme.
Në mesazhet e tyre drejtuar opinionit publik, organizatorët kanë përdorur edhe thirrje të forta politike, duke shprehur bindjen se procesi i protestave po hyn në një fazë vendimtare.
KOHA JONË SONDAZH

