350 infermierë punësohen në Gjermani, Klosi: Formimi profesional është zgjedhja e duhur

350 infermierë të parë kanë fituar sot të drejtën për t’u punësuar në Gjermani. Kompania DEKRA ka mundur të përfundojë kurset e trajnimit profesional dhe të gjuhës gjermane për rreth 350 infermierë, të cilët kanë mundur ta marrin dëshminë e kualifikimit dhe të negociojnë tashmë kontratën për një vend pune të sigurt në Gjermani. Në ceremoninë e certifikimit të tyre ishin të pranishëm përfaqësues të kompanisë DEKRA, e cila mori përsipër dhe trajnimin e tyre, ambasadori gjerman, Helmut Hoffman, infermierët që ndoqën kursin, si dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.

Në fjalën e tij gjatë këtij aktiviteti, ministri Klosi theksoi se ky është një moment që dëshmon edhe një herë më së miri se arsimi dhe formimi profesional mbeten një alternativë e duhur për të konkurruar jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe atë europian të punës. “Ndjehem mirë në këtë sallë, pasi sot dëshmojmë se edukimi ynë ka vlerë, shkollat tona, me gjithë problematikat e tranzicionit, prodhojnë kualifikime të vlefshme. Prandaj sot dëshmojmë se kemi një vlerë, të cilën duhet ta promovojmë vetë, ndaj dhe duhet të jemi shumë më aktivë në këtë drejtim.  Jam i gëzuar, pasi keni dëshmuar se edukimi profesional është një mekanizëm që realisht mund t’u rregullojë jetën shqiptarëve”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Ndaj ai theksoi se çdo i ri shqiptar duhet ta shohë arsimin dhe formimin profesional si një çelës për të hapur rrugët e jetës nëpërmjet një pune të denjë. Për këtë arsye, ai i bëri thirrje çdo të riu që ende nuk e ka vendosur se çfarë rruge do të ndjekë në jetë, të afrohet pranë shkollave dhe qendrave të formimit profesional, pasi ato mund t’i krijojnë mundësi më të mëdha për punësim. “Ne kemi kaq shumë kohë që flasim për arsimin profesional, por unë them se sot me prezencën tuaj këtu, ju keni dhënë një mekanizëm shumë të fortë; arsimi profesional ishte çelësi, edukimi profesional ju bëri ju dhe ju dha një dëshmi. Ne kemi shumë probleme me arsimin profesional, kemi shumë probleme me mënyrën sesi shqiptarët e perceptojnë atë. Por ju sot keni dëshmuar se nëse ke një zanat, një diplomë, mund të jesh i aftë të bësh një punë të denjë, jo vetëm në tregun shqiptar të punës, por edhe atë europian të punës”, – tha Klosi.

Sipas tij, tashmë në shkollat tona profesionale mund të shkojnë njerëz që kanë disa mundësi më shumë, duke marrë një profesion, duke pasur mundësi të jenë të denjë në shoqëri, të vazhdojnë më pas universitetin dhe të jenë të gatshëm për tregun shqiptar dhe europian të punës. Më tej ministri Klosi evidentoi faktin se pikërisht për t’i dhënë rëndësinë e duhur arsimit profesional, së bashku me partnerët ndërkombëtarë do shënohet një reformë e gjerë në shkollat dhe qendrat tona të formimit profesional, duke i kthyer një pjesë të mirë të tyre në shkolla ekselence, të cilat do të ofrojnë arsimim dhe formim sipas standardeve europiane.

Ndërsa ambasadori gjerman Helmut Hoffman nga ana e vet theksoi se vetëm nëpërmjet procedurave ligjore, siç është edhe projekti i bashkëpunimit me DEKRA-n, mund të emigrosh për të punuar në Gjermani. “Ky është një projekt shembull. Gjermania ka lehtësuar eksesin në tregun e punës për shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë, përmes procedurave ligjore. Është edhe në interes të punëdhënësve që kanë mundësi të gjejnë kuadro të specializuar dhe të kualifikuar. Pse duhet parë larg, drejt Azisë, përderisa i kemi mundësitë të rekrutojmë dhe të gjejmë këtu forca të specializuara, një orë larg Mynihut”, – tha ambasadori gjerman, Helmut Hoffman.

SHKARKO APP