37-vjeçarja shtatzënë humbi jetën në spital, Ministria e Shëndetësisë: Nëse ka shkelje do të merren masa
Pas ndarjes nga jeta të një 37-vjeçareje shtatzënë nga Pogradeci, familjarët e së cilës kanë denoncuar rastin për dyshime mbi neglizhencën mjekësore, ka reaguar zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë. Përmes një deklarate, ministria ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimës, ndërsa ka bërë të ditur se ka kërkuar një vlerësim të plotë dhe të pavarur të trajtimit mjekësor që iu dha pacientes.
Sipas ministrisë, verifikimi do të përfshijë të gjitha etapat e trajtimit, që nga momenti kur 37-vjeçarja është paraqitur në spital, deri në përfundimin e kujdesit mjekësor. Ky vlerësim pritet të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe në përcaktimin nëse gjatë trajtimit të pacientes ka pasur problematika apo shkelje të procedurave mjekësore.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pacientes M.K. dhe i përcjell familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta. Në respekt të familjes dhe në këtë moment të dhimbshëm, MSHMS po ndjek me përgjegjshmëri të plotë të gjitha hapat që lidhen me trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti.
Ministria ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të menaxhimit të rastit, me qëllim vlerësimin profesional dhe të paanshëm të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit. Angazhimi ynë është i plotë për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri.
Çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale. Siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor”,-thuhet në deklaratën për shtyp.
KOHA JONË SONDAZH

