387 efektivë të rinj i bashkohen Policisë/ Lamallari: Mos e bëni pis uniformën! Hita: Busulla juaj të jetë ligji dhe qytetari
387 efektivë të rinj përfunduan kursin për Patrullë të Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë dhe tashmë do t’i bashkohen strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë Shqipërinë. Gjatë ceremonisë së përfundimit të kursit, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, u përcolli të rinjve një mesazh të fortë mbi përgjegjësinë që mbart uniforma e policisë.
“Uniforma e Policisë së Shtetit nuk ju jep privilegje, por vetëm përgjegjësi”, u shpreh Lamallari, duke i paralajmëruar efektivët se gjatë karrierës së tyre mund të përballen me tentativa për t’i joshur, korruptuar apo intimiduar. Ministri theksoi se integriteti duhet të jetë parimi kryesor i çdo punonjësi të policisë, ndërsa besimi i qytetarëve fitohet çdo ditë përmes sjelljes së drejtë, profesionalizmit dhe komunikimit korrekt.
Lamallari i cilësoi 387 të rinjtë si tashmë të përgatitur për një prej profesioneve më të vështira dhe njëkohësisht më fisnike: garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Mesazhi për ta ishte i qartë: të ruajnë integritetin, të mos e cenojnë figurën e uniformës dhe të mos e tradhtojnë besimin që qytetarët vendosin tek Policia e Shtetit.
“Mbi gjithçka është e domosdoshme që ne të ndryshojmë mendësinë si qasemi, nga një polici që thjesht reagon drejt një policie që parandalon. Nga një polici që shihet vetëm kur ndodh një problem, drejt një policie që është e pranishme çdo ditë pranë qytetarit dhe gjithnjë e më shumë qaset si shërbim, jo thjesht si forcë bazuar te autoriteti që gëzon prej ligjit. Qytetarët nuk duhet t’ju shohin juve si një distancë mes tyre dhe shtetit. Përkundrazi, Policia është fytyra më e afërt e shtetit”, u shpreh ministri.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili u kërkoi efektivëve të rinj të mos devijojnë nga misioni i tyre dhe të ruajnë gjithmonë integritetin. ”Busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tri drejtime: në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, njëherazi Dëshmorë të Atdheut. Këto tri drejtime mos i ndryshoni kurrë përballë çdo sfide e tundimi, sepse po humbët busullën, humbët qytetarin, humbët dinjitetin dhe rruga më pas është plot dritëhije, ndoshta edhe në errësirë”, tha Hita.
KOHA JONË SONDAZH




