
Qytetarët që do të protestojnë këtë pasdite, do të mblidhen fillimisht në katër pika. Njëra është ajo në sheshin “Skënderbej”, ku do të grumbullohen grupet e protestuesve që vijnë nga Veriu i vendit, pra qytete si Shkodra, Kukësi, Dibra apo Lezha, Atyre do t’u bashkohen edhe protestues nga qytete si Lushnja, Fieri, Vlora, Saranda.
Në sheshin “Nënë Tereza” do të bëhet grumbullimi i qytetarëve që vijnë nga qarku i Elbasanit dhe Korçës.
Sa i përket protestuesve nga Tirana, ata do të grumbullohen të gjithë së bashku, ku përfshihen protestuesit e zonës së Astirit që kanë kundërshtuar ndërtimin e “Unazës së Re”, por edhe banorët nga çdo zonë e kryeqytetit, të cilët rrezikohen nga shembja e banesave. Mësohet se ata do të vijnë përgjatë lumit të Lanës së bashku me disa grupe te shoqërisë civile.
Sali Berisha do të dalë nga selia blu në orën 19:00 nën shoqërimin e anëtarëve të FRPD-së, por edhe anëtareve të Forumit të Gruas.
