40-vjetori i radios “Jehona e Shqipes” në Bruksel, Ministri Hoxha: Zë i identitetit shqiptar në zemër të Evropës

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Bruksel me rastin e 40-vjetorit të radios “Jehona e Shqipes”, të cilën e vlerësoi si një zë që ka mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe shpirtin shqiptar në zemër të Evropës.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Hoxha shprehu mirënjohje për themeluesin Sakip Skepi dhe bashkëpunëtorët e radios, të cilët, sipas tij, me pasion dhe përkushtim kanë bërë që gjuha shqipe të jehojë larg atdheut, duke forcuar lidhjet e komunitetit shqiptar në Belgjikë dhe më gjerë.

Postimi i ministrit Hoxha në rrjetet sociale:

Swiss Digital Desktop Reklama

Kënaqësi e veçantë të merrja pjesë në Bruksel në festimin e 40-vjetorit të radios “Jehona e Shqipes”, zëri që për katër dekada ka mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe shpirtin shqiptar në zemër të Evropës.
Mirënjohje për Sakip Skepin dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët, me pasion, përkushtim dhe dashuri për shqiptarinë, kanë bërë që shqipja të jehojë larg atdheut, duke forcuar ndër vite lidhjet e komunitetit tonë në Belgjikë dhe më gjerë.
Për 40 vite, “Jehona e Shqipes” ka qenë më shumë se një radio: ka qenë urë bashkimi, vatër kujtese, zë identiteti dhe dritare komunikimi për mijëra bashkatdhetarë; një institucion i fjalës së lirë që ka zhbërë distancat dhe ka bashkuar zemrat e diasporës shqiptare në Belgjikë dhe në mbarë Evropën.
Diaspora shqiptare, “atdheu jashtë atdheut”, mbetet jo vetëm një burim frymëzimi dhe krenarie, por edhe bartëse besnike e identitetit tonë të përbashkët, e vlerave dhe aspiratës sonë evropiane. Sot, ajo nuk është vetëm pjesë e historisë sonë, por edhe bashkëudhëtare aktive dhe partnere e pandashme në rrugëtimin tonë për Shqipërinë evropiane.
🇪🇺 Kudo ku ruhet e zhvillohet shqipja, kultivohet, transmetohet dhe jeton edhe shqiptaria.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi; Edi Rama apo Sali Berisha?