45-vjeçari i rrëmben armën efektivit dhe e plagos
Një efektiv policie është plagosur mbrëmjen e sotme në Kuçovë, pasi personi që po shoqërohej nga policia i mori armën gjatë një konflikti me një efektiv. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00, teksa 45-vjeçari Zamir Skënderi po transportohej nga Komisariati i Fierit drejt Komisariatit të Kuçovës. Ai ishte ndaluar fillimisht për prishje të qetësisë publike. Sipas policisë, gjatë rrugës ai u përfshi në konflikt me policin A.Toska 20-vjeç, arriti t’i marrë armën e shërbimit dhe e plagosi.
Njoftimi i plotë
Rreth orës 19:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë po kryenin shoqërimin e shtetasit Z. S., 45 vjeç, banues në Kuçovë, nga Komisariati i Policisë Fier drejt ambienteve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, i dyshuar për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjatë shoqërimit, shtetasi Z. S, është konfliktuar me punonjësin e Policisë shtetasin A.T., 20 vjeç, dhe gjatë konfliktit i ka marrë armën e shërbimit punonjësit të Policisë dhe e ka plagosur. Patrulla e Policisë e ka neutralizuar dhe i ka marrë armën shtetasit Z. S., ndërsa punonjësi i Policisë është transportuar për ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën të fshehur në trup një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë. Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të verifikuar zbatimin e procedurave standarde të shoqërimit të personave nga ana e Patrullës së Policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
KOHA JONË SONDAZH

