50 nëna të prekura nga Covid-19 kanë lindur në 10 muaj
Prej fillimit të pandemisë mbi 50 gra shtatzëna me Covid-19, kanë kryer lindje në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”. “Janë mbi 50 raste. Ka pasur lindje me operacion dhe të pakta raste me lindje natyrale. Të gjitha kanë rezultuar që kanë lindur një fëmijë të shëndetshëm, mbarëvajtja e lindjes dhe postlindjes ka qenë e mirë”.
Asnjë nga bebet e lindura nga nënat e infektuara nuk ka pasur probleme. Të pakta kanë qenë edhe rastet e shtatzënave që pasi kanë lindur janë transportuar në spitalet Covid. “Ne e kemi ndjekur aktivitetin e lindjes dhe pas lindjes në spital, në 3 raste gratë i kemi ndjekur tek Covid 1 dhe 2 për shkak të problemeve pulmonare”.
Sipas doktoreshës Eliona Demaliaj, shumica e grave të prekura nga Covid dhe që kanë qenë në muajt e parë të shtatzënisë, janë ndjekur nga mjekët e familjes në bashkëpunim me specialistët gjinekologë dhe pneumologë dhe nuk kanë patur komplikacione të rënda.