505 milionë lekë detyrime doganore të papaguara, bizneset rrezikojnë faljen fiskale
Prej muajit qershor ka nisur zbatimi i skemës së faljes me dhe pa kushte për detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara, një proces që synon lehtësimin e barrës financiare për bizneset. Në të njëjtën linjë me tatimet, edhe administrata doganore ka filluar aplikimin e masave lehtësuese për subjektet debitore.
Deri tani, mbi 260 subjekte kanë përfituar nga kjo skemë faljeje për detyrimet e pashlyera në dogana, ndërsa vlera totale e detyrimeve të fshira arrin rreth 505 milionë lekë. Megjithatë, pavarësisht lehtësive që parashikon ligji, ekspertët fiskalë vërejnë se një pjesë e bizneseve nuk po i ndjekin me kujdes procedurat e nevojshme për të përfituar nga kjo mundësi.
Sipas tyre, një nga keqkuptimet më të shpeshta është pritshmëria se falja aplikohet automatikisht për të gjitha rastet. Në fakt, bizneset duhet të plotësojnë dhe të dorëzojnë dokumentacionin përkatës për detyrimet e papaguara, përndryshe rrezikojnë të mbeten jashtë skemës së lehtësimit.
Ekspertët theksojnë se respektimi i afateve është vendimtar për përfitimin nga falja fiskale. Për detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet fshirje e plotë automatike. Ndërsa për periudhën 2015–2019, subjektet mund të përfitojnë ulje të detyrimeve nëse paguajnë principalin brenda afateve të përcaktuara. Për vitet 2020–2024, skema parashikon heqjen e gjobave dhe kamatëvonesave, por vetëm pas shlyerjes së detyrimit kryesor.
Ekspertët u bëjnë thirrje bizneseve që të verifikojnë me kujdes statusin e tyre tatimor dhe doganor, duke mos humbur afatet e përcaktuara ligjore, veçanërisht ato që përfundojnë në fund të qershorit, pasi vonesat mund t’i përjashtojnë nga përfitimet.
Ndërkohë, administratat tatimore dhe doganore po vijojnë procesin e identifikimit të rasteve përfituese deri në fund të vitit 2026. Deri më tani, përveç detyrimeve doganore, janë fshirë pa kushte edhe mbi 306 milionë euro detyrime tatimore në total..
KOHA JONË SONDAZH

