52 grekë ”non grata”, Llalla: Erdhën të armatosur, duhej të mbaheshin në burg
Historiani Arben Llalla, ka folur për shpalljen ”non grata” të 52 ekstremistëve grekë që kanë qenë të pranishëm në ceremoninë mortore të ekstremistit Konstandinos Kacifas.
Llalla është shprehur se ekstremistët nuk duhej të ishin lejuar të futeshin në territorin shqiptar që në doganë, pasi sipas tij, ata janë fytyra të njohura dhe madje kanë qenë edhe të armatosur. ”Duhet një vendim më i fortë nga ana e shtetit. Shpallja ‘non grata’ e 52 ekstremistëve grekë tregon politikë jo serioze, pasi për dy-tre vjet ky vendim do të hiqet. Ata duhej të mbaheshin në burg”, ka thënë Llalla në ”Report TV”.
Historiani është shprehur më tej se situata po agravohet gjithnjë e më tej dhe Shqipëria duhet të tregohet më vigjilente. “Në ceremoninë mortore të ekstremistit grek Konstandinos Kacifas, brenda në kishë ishte një grua. Ajo mbajti një fjalim antishqiptar dhe përgjatë gjithë kohës ka mallkuar Shqipërinë e shqiptarët. E ç’është më e keqja, brenda kishës kanë qenë të pranishëm edhe politikanë shqiptarë, ndër të cilët edhe Vangjel Dule”, ka komentuar Llalla.
KOHA JONË SONDAZH

