600 fëmijë në Shqipëri me sytë nga dhuruesit e gjakut, mjekët bëjnë apel
Covid-19 ka reduktuar ndjeshëm numrin e dhuruesve të gjakut. Në një bilanc të bërë për 2020 nga qendra e transfuzionit rezulton se janë 3000 dhurime më pak se vitit paraardhës.
“Kemi një rënie të theksuar të numrit të dhurimeve. Vetë situata në të cilën ndodhemi ka frikësuar pak njerëzit që të paraqiten në dyert e spitaleve. Studentët që kanë qenë kategori shumë e mirë dhuruesish, sot nuk janë në auditorë. Shumë institicuone punojnë nga shtëpia, online dhe ne nuk mund të paraqesim ekipet tona për dhurim gjaku. Prandaj kemi një rënie të theksuar dhuruesish”,-thotë Dorina Xhafa, mjeke në bankën e gjakut.
Nevoja për gjak mbetet e lartë në të gjitha strukturat spitalore. 600 fëmijë talasemikë varen nga dhurimet vullnetare. Për këtë arsye bluzat e bardha apelojnë për dhurim të gjakut në këtë periudhë kur mungesat janë të mëdha.