7 kriteret për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut, një është për dosjet e nxehta
Kush do të jetë drejtuesi i ri i SPAK-ut? Tre kandidatët janë Edvin Kondili, Adnan Xholi dhe Altin Dumani. 11 anëtarët e KLP-së për zgjedhjen e kreut të SPAK janë Alfred Balla, Tartar Bazaj, Arta Mandro, Bujar Sheshi, Eloida Goxhi, Esmeralda Cami, Ledina Riza, Mirela Bogdani, Nurihan Seiti, Sokol Stojani dhe Zeqir Hoda.
KLP-ja, në zgjedhjen e kreut të SPAK, do të vlerësojë 7 kritere që janë: eksperienca në ndjekjen dosjeve sensitive të korrupsionit dhe krimit të organizuar, eksperiencën dhe aftësitë në organizimin dhe drejtimin e një strukture, eksperiencën në hartimin e miratimin e rregulloreve administrative, eksperiencën në çështje të cilat kanë marrë vëmendje të lartë publike dhe ndërveprim me median, aftësitë në drejtimin të burimeve njerëzore, vizionin për drejtimin e SPAK si dhe imazhin që ka në publik si prokuror.
Kriteret e vendosura favorizojnë kandidatët që kanë referuar në gjykatë dosje të nxehta korrupsioni dhe krimi, që kanë në dorë dosje të bujshme me vëmendje të lartë publike dhe që janë në fokusin e mediave.
Në fund do të jenë anëtarët e KLP-së që do të votojnë. Sipas nenit 20 të rregullores së KLP-së, kandidati që merr më shumë vota, zgjidhet kreu i SPAK-ut. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, KLP kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.