70 vjet burrni që nuk bëri zhurmë, por bëri histori. Ky është Tonin Alia!
Nga Leti Brahaj
Ka çaste që nuk i përkasin vetëm një dite, por bëhen pjesë e përjetshme e kujtesës.
Ka festa që nuk maten me orë, por me emocionin që mbetet gjatë edhe pasi hesht muzika.
20 korriku ishte një ditë e tillë, një ndalesë e thellë për të nderuar jo thjesht një përvjetor, por një jetë të jetuar me dinjitet, me rrënjë dhe me dritë.
70 vite jetë nuk janë pak. Janë një libër i tërë me faqe të shkruara me punë, me sfida, me durim, por edhe me fitore që nuk kanë nevojë për zhurmë.
Janë një rrugëtim që nisi në tokën e fjalës së mbajtur në Kryezi të Pukës dhe vazhdoi me hapa të qetë, por të sigurt, drejt ndërtimit të një bote më të mirë përreth vetes.
Tonin Alia nuk është vetëm një emër i njohur.
Ai është një ndër ata njerëz të rrallë që s’kanë nevojë të flasin shumë për veten sepse jeta e tyre flet vetë.
Një burrë që ka ditur të ndërtojë biznese, por pa e humbur shpirtin njerëzor.
Një vëlla e mik që nuk harron rrënjët.
Një baba që udhëheq me vlerë.
Një burrë i tokës që mbjell punë të ndershme dhe korr respekt.
Kjo festë në zemër të natyrës, në një vend që ai po e ndërton vetë, me duart e veta dhe ëndrrat e veta ishte më shumë se një ditëlindje. Ishte një homazh për një jetë me kuptim.
Tryezat ishin plot me njerëzit e tij: vëllezër e motra që e njohin që nga rrënja, fëmijët e tij që janë vazhdimi, nipërit e mbesat që janë kujtesa e së nesërmes, punonjësit e Ardenos, ata që janë pjesë e përditshmërisë së tij dhe që dëshmojnë me sy e me zemër se Tonini është energji që nuk ndalet.
Dhe mes gjithë këtyre njerëzve të dashur, më është dhënë mua, një bijë e të njëjtës tokë, privilegji i rrallë për të qenë zëri që ndau këtë histori me ju.
Të moderoja këtë ditë të shenjtë për Toninin dhe për të gjithë ne, ishte më shumë se një detyrë: ishte një përqafim që i jepet kujtesës, një falënderim që i jepet rrënjës, një nderim që i jepet njeriut të mirë.
Sepse jo të gjitha ditëlindjet janë festa. Disa janë dëshmi që vlerat jetojnë, që rrënjët s’duhen harruar, dhe që njerëzit e mirë e ndriçojnë botën edhe pa e kërkuar dritën për vete.
Tonin, kjo ditë ishte për ty por ajo që ke dhënë gjatë këtyre 70 viteve, është për të gjithë ne.
Gëzuar 70-vjetorin, me urimin që vitet e ardhshme të jenë po aq të frytshme dhe të bukura sa jeta që ke ndërtuar deri sot. Faleminderit që je, dhe që je kështu!

Leti Brahaj
KOHA JONË SONDAZH

