8 vite nga vdekja e babait ish-prokuror, PS prezanton kandidaten për deputete në Rrajcë

Albana Hana, vajza e ish-prokurorit të njohur Xhevat Hana, do të përfaqësojë Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit në zonën e Rrajcës dhe të Prrenjasit. Ka qenë Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla prezantoi Albanën në fshatin e saj në Rrajcë. Ajo është bërë pjesë e PS-së në kuadër të procesit “Deputeti që duam”.

”Është nder për Partinë Socialiste që përfaqësuesin e vet për këtë zonë ta ketë Albanën. Është vajza e mikut të të gjithë Rrajcës, Xhevat Hanës. Albana do të jetë pjesë e listës së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit. Ka ardhur në bazë të një procesi që ne kemi nisur duke hapur dyert e PS, jo vetëm për njerëz që militojnë brenda partisë, por edhe për njerëz me kontribute jashtë. Në kuadër të procesit “Deputeti që duam” u krijua një derë për të dhënë kontribute, djem e vajza, burra e gra në fusha të caktuara, qofshin mjekë, mësues, sipërmarrës apo fermerë e jurist të shkëlqyer si Albana”,-u shpreh Balla.

Albana Hana i siguroi banorët e Rrajcës se do të jetë në shërbim të kësaj zone për zhvillimin e mëtejshëm të saj. ”Unë nuk jam e fushës së politikës, unë jam e fushës së projekteve. Për shumë vite jam marrë me projekte të Bashkimit Europian dhe kjo është pika më e fortë ku unë do doja të fokusoheshim, por për këtë dua besimin tuaj, dua të punojmë bashkë. Ndoshta jeni të lodhur, ndoshta keni humbur besimin tuaj, janë të gjitha të pranueshme, por gjërat duhen bërë bashkë. Do të punojmë bashkë me projekte të ndryshme, mbi të gjitha të bashkëpunimit ndërkufitar. Kjo do jetë puna jonë. Nuk ka rëndësi çfarë kanë bërë të tjerët. Ne nuk mund ta bazojmë punën tonë duke sharë apo duke hedhur baltë, por do ta bazojmë vetëm në punën tonë. Vetëm kështu do ndryshojmë”.

Albana Hana ka studiuar Shkenca Sociale dhe Drejtësi pranë Universitetit të Tiranës dhe mban gradën Master në fushën e Demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut në Evropën Juglindore nga Universiteti i Sarajevës dhe Bolonjës. Ndërsa babai i saj, ish-prokurori Xhevat Hana pati një karrierë të gjatë në drejtësi. Për disa kohë ai ka qenë edhe këshilltar i presidentit Alfred Moisiu.

SHKARKO APP