”90% e kolegëve të PS-së janë kundër masave ndaj opozitarëve”, Çupi: E pavlerë mbledhja e Komisioneve online
Sot deputetë të PD-së kapërcyen dritaren për tu futur në Kryesinë e Kuvendit. Deputetja e PD-së Rithemelimit, Dhurata Çupi thotë se 90 e kolegëve socialistë janë pro opozitarëve. Sipas saj, jashtë kamerave dhe në korridoret e Kuvendit, socialistët janë kundër masave që po merren ndaj opozitarëve. Ajo tha se sot praktikisht po shkelet ligji me komisionet që po mbahen online.
“Është e pavlefshme mbledhja e Komisioneve online. Nenet e kanë të përcaktuar qartë se kur mblidhet komisionet online dhe fatmirësisht Shqipëria nuk ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme. Mbledhjet e Komisionit janë të paligjshme dhe të pavlefshme. Në asnjë rast, në 30 vite që kam eksperiencë si ligjvënëse, nuk ka ndodhur në asnjë rast, në asnjë formë që deputetët të mos lejohen që të shkojnë në zyrat e tyre.
Rregullorja e ka të qartë kur ndalohen në seanca. Në asnjë rast nuk ka ndodhur, ky është një cënim i rëndë i rregullores së Kuvendit dhe i Kushtetutës së Shqipërisë. Kolegët socialistë thonë; keni të drejtë, e thonë jashtë kamerave, që Garda po abuzon. Jashtë kamerave, në korridore, në biseda që bëjnë me kolegët tanë socialistë, 90% e tyre thonë se po shkelin ligjin. Praktikisht ata na kanë hequr sot mandatin”, tha Çupi.