97% e të huajve vijnë në Shqipëri për pushime, INSTAT: Në rritje vizitat për qëllime biznesi
2.1 milionë të huaj nga rreth 2.2 milionë që hynë në total në Shqipëri përgjatë muajit gusht sipas INSTAT erdhën për pushime apo vizitë tek të afërm, thënë ndryshe 97% e tyre. Krahasuar me vitin e shkuar ka një rritje me 10.4% të hyrjeve për qëllime të tilla, por rritja me e madhe këtë gusht vërehet nga të huajt që kanë ardhur për qëllime biznesi dhe profesionale.
Konkretisht erdhën rreth 17 mijë të huaj, një rritje kjo me 49,4 % krahasuar me gushtin e vjetshëm. Të huajt e ardhur për trajtime shëndetësore kanë njohur një rënie të ndjeshme me 92%. Në muajin e 8 të vitit INSTAT raporton se numri total i të huajve të ardhur në Shqipëri është 7.2% më i lartë se po e njëjta periudhë e një viti më parë.
Shumica e turistëve rezultojnë se erdhën nga Evropa Jugore, specifikisht 1.6 milionë. Për periudhën janar-gusht në vendin tonë kanë hyrë 8.5 milion të huaj, një rritje kjo me 18.7% krahasuar me vjet.