A do vërtetohen akuzat për rryshfet dhe favore seksuale?

 

Liza Tabaku drejtoresha e famshme e Lushnjes, që u kap me bllokun e ryshfeteve të arsimtarëve në dorë, do të dalë shumë shpejt përpara gjykatës. Sëpaku kështu ka lajmëruar prokuroria që ka dërguar gosjen e saj në gjykatë me akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe të korrupsionit pasiv. Tabaku, drejtoreshë e Arsimit në Lushnje, u akuzua se merrte rryshfet nga 3 deri në 5 mijë euro për të emëruar në punë një arsimtar ose për të mos i larguar ata që e kishin ndërkohë një vend pune. Tabakut në shtëpi iu gjendën 12 mijë euro, ndërsa tentoi të fshihte në banjon e komisariatit të policisë dhe 2 mijë të tjera që i kishte me vete në momentin e arrestimit. Bashkë me Tabakun u ndaluan edhe djali i saj dhe një mësues, të cilët kryenin rolin e sekserit në këtë aferë korruptive.

Por me kalimin e ditëve dyshimet mbi drejtoreshën e arsimit u shtuan.Në seancën e masës së arrestit ndaj saj u la të kuptohej se përpos parave në zyrat e derejtorisë arsimore të Lushnjes, grave kandidate për të marrë një vend si mësuese dyshohet se u është kërkuar edhe seks në këmbim të vendit të punës. Kështu kanë bërë të ditur informacione nga prokuroria të cilat janë përmendur shkarazi edhe në gjyq. Madje pohohet se për këtë ka edhe pamje filmike. Këtë e pranoi për mediat edhe avokati i Luiza Tabakut, Kozma Jano, i cili e pranoi ekzistencën e një materiali filmik në të cilin flitet për përgjime me pamje vizuale të këtyre akteve.  “Po diskutohet për favore seksuale, por për ne avokatët nuk është bërë gjë e qartë ende”.  Liza Tabaku ishte emëruar në këtë detyrë nga LSI. Rreth dy javë më parë se të arrestohej ajo festonte së bashku me kreun e LSI, Ilir Meta në një foto që u botua menjëherë më pas. Arrestimi i Tabakut përforcoi zërat që flisnin për mënyrën korruptive me të cilën punojnë të përzgjedhurit e LSI.

Pikërisht pas kësaj ngjarjeje të rëndë foli menjëherë edhe kryeministri Rama: “Ngjarja e rëndë e Zyrës Arsimore të Lushnjes nuk është aksident i veçuar, por është maja e një ajsbergu që do ta bëjmë copë-copë pa kursyer askënd. Duke filluar nga ky ndryshim rrënjësor që do kurorëzohet në muajin dhjetor, pastaj do kthehet në sistem në vitin tjetër, emërimet dhe çemërimet e mësuesve nuk do ti kenë në dorë Drejtori i Drejtorisë Arsimore dhe zyrat rajonale. Kjo është e patolerueshme me këtë ne do ndahemi jo mbas 1 viti por pas një muaji. Do ndahemi duke u bashkuar me gjithë ata që kanë se çfarë ti japin arsimit shqiptar, që kanë nevojë vetëm për rrugën e konkurrencës së ndershme”, tha atëhere ai.

Tani Liza Tabaku pritet që të dalë para gjyqit për të parë se sa do të vërtetohen akuzat kundër saj për mitmarrje dhe favore seksuale.

SHKARKO APP