A duhet të japë Rama dorëheqjen si Johnson? Çudit deputeti i PS-së
Kryeminstri britanik Boris Johnson dha dorëheqjen pasi kabineti i tij, i përfshirë në disa skandale, i kërkoi të dorëzonte postin. Deputeti i Partisë Socialiste, Lavdrim Krashi kujton disa raste në vendin tonë, ku ish-deputetë socialistë dhe ish-kryetarë bashkish, janë në hetim për korrupsion dhe vepra të tjera penale. Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku ra në pranga tre javë më parë në Itali, pasi u kap me 20 kg kanabis, brenda një kamioni me vazo me lule.
I pyetur nëse do të mjaftonte kaq në Britaninë e Madhe për të kërkuar shkarkimin e kryeministrit, Krashi përgjigjet: “Absolutisht që do të mjaftonte”. Po ashtu ai thotë se nëse Rama është në dijeni për veprime kriminale të kabinetit apo politikanëve të partisë që drejton, duhet të veprojë. Ai ka një këshillë konkrete për Edi Ramën, si kryetar i Partisë Socialiste.
“Nëse Rama do të kishte promovuar apo propozuar njerëz për të përfaqësuar Partinë Socialiste në komitete të ndryshme, duke ditur akuzat dhe se një person i caktuar është në investigim apo nën hetim nga organet kompetente. Populli, qytetarët, votuesit, meritojnë politikanë përgjegjës, meritojnë të zgjedhur që të jenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm”,-tha në ”Top Channel”.