A duhet të mbyllen call center për shkak të Covid-19? Drejtuesit e kompanive të ndarë
Mbi 25 mijë të rinj rezultojnë të punësuar në fushën e telekomunikacioneve ose call-centers në të gjithë vendin. Prej 9 marsit kur në Shqipëri u konstatua edhe pacienti i parë me COVID-19, kompanitë që operojnë në këtë treg u detyruan të ridimensiojnë mënyrën e tyre të punës. Një pjesë e madhe e operatorëve aktualisht punonjnë nga shtëpia, ndërkohë që pjesa e tjetër nën kujdes maksimal vijonën punën njësoj si më parë. Lorenc Goga është administrator i kompanisë FACILE.IT në Tiranë në të cilën janë rreth 250 të punësuar. Ai tregon se si ka ndryshuar ritmi dhe mënyra e punës në kompaninë e tij për shkak të përhapjes së koronavirus.
“Kemi filluar të riorganizojmë turnet dhe punën në mënyrë të atillë që së pari të garantojmë shëndetin e punonjësve dhe familjarëve të tyre. Patjetër duke llogaritur edhe nevojën që kompania vazhdon të ketë aktulisht për të vazhduar punën. Ne kemi mundësinë që për disa raste edhe të punojmë nga shtëpia. Kemi filluar avash avash ta testojmë si shërbim dhe mënyrë pune. Patjetër nëse situata vazhdon në këto përmasa do ta thekosojmë si mundësi për të vazhduar punën dhe për të krijuar një vazhdimësi në pjesën tonë operative”, sqaron Goga.
Olta Qose drejton disa fushata të rëndësishme në kompaninë IDS, përmes një vendimarrje unanime, kompania i orientoi punonjësit e saj të punojnë të gjithë nga shtëpia.
“Kemi filluar transferimin e punës nga shtëpia përpara mesit të marsit, më herët se të dilte urdhëri i qeverisë. Që në momentin që filluam pak nga pak përgatitjet, filloi blerja e pajisjeve që na duheshin për të punuar nga shtëpia dhe në momentin e fundit u detyruam që për punonjësit që nuk kishin internet, lidhëm edhe internetin dhe siguruam çdo gjë për të punuar në mënyrë korrekte nga shtëpia”, thekson Qose.
Politika është e ndarë për vendimin që duhet marrë me mbylljen apo jo të kompanive call center dhe fasoneri, njësoj siç janë të ndarë edhe vetë përfaqsuesit e kompnaive.
“Gabimi që bëhet nga politika apo nga organet vendimarrëse është që kategorizojnë një sektor. Është e pamundur që ne të flasim njësoj për të gjitha kompanitë që operojnë në këtë sektor. Ne kemi fushata për të cilat është e pamundur që të punohet nga shtëpia edhe për çështje sigurie ndaj të dhënave që ne trajtojmë të klientëve”, tha Goga.
Por ndryshe mendon përfaqësuesja e kompanisë IDS.
“E kuptoj edhe faktin që nuk është e thjeshtë menaxhimi dhe gjithë gjërat e tjera, por të punosh në ato kushte edhe me 2 apo 3 metër distancë është realisht shumë e vështirë që ne të ruajmë shëndetin tonë”, shton përfaqësuesja e IDS.
Por si ndikon koronavirusi në fushën e telekomunikacionit kur këto kompani operojnë me Italinë, shtetin më të goditur në Evropë nga Covid-19.
“Kemi pasur ne në fillimisht më shumë punë, duke qenë se njerëzit gjendeshin në shtëpi dhe kishin një qasje më të mirë rreth konsulencës që ne japim për produktet tona. Kishin edhe pak më shumë kohë edhe për të na dëgjuar, por me kalimin e kohës tani edhe kjo bëhet e vështirë, sepse njerëzit fillojnë edhe mendojnë edhe për gjëra të tjera dhe këto i quajnë pak a shumë si produkte dytësore dhe tani po e ndjejmë pak vështirësinë në lidhje me sasinë e punës që mund të përballojmë”, deklaron administrator i kompanisë FACILE.IT.
“Ne jemi duke operuar në tregun Italian, klientët sigurisht që janë goxha të prekur nga kjo situatë. Për shërbimet që ne japim në këto momente, na kanë ndikuar por jo edhe aq. Mjafton që të dialogohet me klientin, pak më shumë”, thekson Qose.
Apeli i përfaqsuesve të këtyre kompanive që kanë punësuar mbi 25 mijë të rinj në vend është për qeverinë, e cila sipas tyre përpara vendimit për të mbyllur këto kompani duhet të jap garanci për faturën financiare që ky akti do të kishte.
Shihni ecurinë e Covid-19 në Shqipëri:
/abcnews.al