A është kërcënuar Altin Dumani?
Sot kryelajm në media është se kreu i Strukturës së Posaçme antikorrupsion, Altin Dumani po lëviz me makinë të blinduar dhe se ndaj tij është shtuar siguria fizike. Natyrshëm ka lindur pyetja nëse Dumani është kërcënuar. Por SPAK-u thotë se nuk ka asnjë masë shtesë dhe se mbrojtja që kryhet për drejtuesin e prokurorisë është konform procedurave dhe standardeve të miratuar.
“Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme mbrohet nga Garda e Republikës e cila bashkëpunon dhe koordinon veprimet me Policinë e Shtetit. Mbrojtja e Drejtuesit të Prokurorisë është konform procedurave standarde të miratuara”,-thekson SPAK.
Edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, hodhi poshtë zërat se janë shtuar masat për të garantuar sigurinë e kreut të SPAK-ut, Altin Dumanin. ”Kam komunikuar me drejtorin e Policisë së Shtetit dhe i kam kërkuar që të marrë kontakt me Dumanin, për të garantuar që policia e shtetit të bëjë detyrë. Kemi përgjegjësi që të garantojmë sigurinë maksimale për çdo zyrtar”,-tha Balla.
Gjatë javëve të fundit, SPAK ka ndërmarrë një sërë operacionesh të bujshme që kanë tronditur botën e krimit dhe të politikës. Po ashtu ky institucion ka çuar në pranga persona të inkriminuar, zyrtarë ose jo, duke e vënë në shënjestër këtë institucion edhe të deklaratave politike.