A është përdorur SHISH për t’u mbyllur gojën gazetarëve kritikë?

SHISH nuk është pronë private dhe gazetarët nuk janë armiq të shtetit

Nga KOHA JONË

Një gazetare bën një pyetje. Përballë saj, një ish-drejtuese e shërbimit sekret përgjigjet me aludime për kontakte me shërbime të huaja. Pikërisht këtu, përballja del nga kufijtë e një debati personal dhe bëhet çështje me interes publik: a po përdoret pesha e një posti shtetëror për të frikësuar një gazetare?

Swiss Digital Desktop Reklama

Për KOHA JONË, deklarata që i atribuohet ish-drejtoreshës së SHISH ndaj gazetares Klodiana Lala ngre një dyshim të rëndë: a është përdorur autoriteti i shërbimit sekret për presion ndaj zërave kritikë të qeverisë? Kjo pyetje kërkon përgjigje nga institucionet. Heshtja vetëm sa e rëndon dyshimin.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gazetarja nuk ka detyrë të kënaqë pushtetin. Ka detyrë ta pyesë, ta kontrollojë dhe t’i nxjerrë në dritë abuzimet. Një pyetje e pakëndshme nuk e bën gazetarin armik të vendit. As kritika ndaj qeverisë nuk përbën arsye për ta etiketuar me aludime për shërbime të huaja.

Gjuha e një njeriu që ka drejtuar SHISH ka peshë tjetër nga ajo e një qytetari në një grindje të zakonshme. Pas saj qëndron autoriteti i dikurshëm i një institucioni që administron informacione të ndjeshme. Prandaj, aludime të tilla mund të perceptohen si një mesazh frikësues: kujdes çfarë pyet, sepse unë di diçka për ty!

Ky është një mesazh i papranueshëm në raportin me shtypin.

Edhe mënyra e të folurit meriton një gjykim të prerë. Vulgariteti dhe aludimet personale ndaj një gazetareje janë të padenja për dikë që ka mbajtur një përgjegjësi kaq të lartë shtetërore. Detyra kërkon etikë, përmbajtje dhe vetëdije për peshën e fjalës. Këto përgjegjësi nuk zhduken ditën që largohesh nga zyra. Askush nuk mund ta mbajë autoritetin e postit për të frikësuar të tjerët, ndërsa përgjegjësinë ta lërë te dera e institucionit.

Por problemi nuk mbyllet te mungesa e edukatës. Publiku ka të drejtë të dijë: mbi çfarë baze bëhen këto aludime? Janë pretendime pa prova, të hedhura për të diskredituar gazetaren? Apo lidhen me informacione të administruara gjatë ushtrimit të detyrës? Nëse po, për çfarë qëllimi janë mbledhur dhe përse përdoren në një përballje me median?

Informacioni shtetëror nuk është pronë personale e drejtuesit. Nuk merret me vete si send zyre dhe nuk përdoret si armë në një konflikt me gazetarët. Nëse të dhënat e siguruara gjatë detyrës janë përdorur apo zbuluar për të kërcënuar ose diskredituar një gazetare, atëherë çështja kalon përtej etikës dhe ngre përgjegjësi të mundshme ligjore që duhen hetuar.

Ky episod, i vetëm, nuk provon ekzistencën e një mekanizmi institucional përgjimi dhe shantazhi. Por kjo nuk e bën më pak të domosdoshme zbardhjen e tij. Duhet sqaruar nëse janë mbledhur të dhëna për gazetarë për shkak të punës së tyre, kush e ka kërkuar këtë, me çfarë autorizimi dhe si janë përdorur ato.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur mendon efektin mbi çdo gazetar tjetër. Nëse një figurë publike e gazetarisë përballet me aludime të kësaj natyre, çfarë mesazhi merr një reporter i ri që po heton një aferë? A duhet të mendohet dy herë përpara se të bëjë një pyetje? A duhet të heqë dorë nga një investigim nga frika se nesër do të vihet vetë në shënjestër?

Një klimë e tillë dëmton të drejtën e qytetarëve për të ditur. Presioni mbi gazetarin arrin, në fund, te publiku: te lajmi që nuk botohet, te pyetja që nuk bëhet, te abuzimi që mbetet i fshehur.

Përgjigjja institucionale duhet të jetë konkrete dhe e besueshme. Një deklaratë e përgjithshme për respektimin e lirisë së shtypit nuk mjafton. Duhet sqaruar çfarë qëndron pas këtyre aludimeve dhe nëse është cenuar ligji.

SHISH financohet nga qytetarët për sigurinë e Shqipërisë. Çdo dyshim se kapacitetet e tij mund të jenë përdorur për mbrojtjen e pushtetit nga gazetarët kërkon hetim të plotë.

Klodiana Lala ka të drejtë të bëjë pyetje. Çdo gazetar ka të drejtë të kërkojë llogari. Kush ka mbajtur pushtet shtetëror duhet të përgjigjet për mënyrën si e ka ushtruar atë.

Askush nuk ka të drejtë ta kthejë hijen e shërbimit sekret në kërcënim mbi shtypin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?