A hanë “pykë” Edi Rama dhe Lulzim Basha?

 
 
Sikur të mos ngopeshin nga ajo çka sollën në parlament për shqiptarët me 23 qershor 2013, ku prej muajsh po vazhdon një betejë mes mafias dhe politikës së ndershme, PS e PD po kandidojnë përsëri elementë me CV të diskutueshme kriminale apo me  dyshime të mëdha për qytetarët. Të gjithë jemi deshmitarë të emrave problematikë e me lidhje me krimin që janë sot në parlament e që duhet njëmijë halle e përkushtim që t’i nxjerrin nga salla e kuvendit ku kanë hyrë me firmën e Edi Ramës dhe Sali Berishës, e si për dreq, akoma po vazhdohet edhe në këto zgjedhje vendore me emra të tillë. Natyrisht që duhen ndarë akuzat e kota dhe politike, të cilat mbizotërojnë në një parafushatë elektorale shqiptare, nga e verteta e dhimbshme e CV-se së tyre.Mjafton që nga dje të shikohet se si PD kandidon Xhelal Mziun në Bashkinë e Kamzës, i cili po dje mori një vendim gjykate të shkallës së parë si dënim apo PS që kandidon në Bashkinë e Krujës Artur Bushin, të cilin mënjëherë e shigjetoi lideri i opozitës Basha. Pasi mazhoranca shpalli kandidaturën e deputetit Artur Bushi për të kryesuar garën në Bashkinë e Krujës, lideri i opozitës i ndodhur në Krujë, komentoi këtë vendim duke thënë: “Sapo kandiduan për Bashkinë e Krujës “Mister kokainën”. Dhe si të mos mjaftonte ky rast që sulmoi Lulzim Basha del edhe simotra e PS-së, partia e Vangjel Dules, duke kandiduar një person me precedent antikombëtar shqiptar siç shkruante dje lapsi i Mand Shkullakut dhe Andi Bushatit.
Pra  kandidati Fredi Beleri i PBDNJ-së për Bashkinë e Himarës ka këtë CV, e cila është denigruese për qytetarët shqiptarë. Mjafton një kërkim në Google dhe emri i Fredi Belerit të lidhet me disa ngjarje. Së pari ai është arrestuar nga policia  në vitin 1994, në tentativë për organizimin e një sulmi ushtarak në repartin e fshatit Peshkëpi në Gjirokastër. Ky sulm terrorist i mbetur në tentativë, ishte i dyti pas sulmit të organizuar në po atë vit nga organizata terroriste greke “MAVI”, e cila vrau kapitenin Fatmir Shehu dhe ushtarin Arsen Gjini.
Po kështu, Fredi Beleri është dënuar nga gjykatat shqiptare për ngjarjet e Himarës në vitin 2003, ku u dhunuan ndër të tjera edhe simbolet tona kombëtare. Beleri së bashku me katër persona të tjerë u dënuan për veprën penale “thyerje e simboleve kombëtare”. Për këtë dënim, në vitin 2012, ata i drejtuan edhe një letër Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, ku kërkonin faljen, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. PBDNJ është një parti në koalicion me Partinë Socialiste, që para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, por për Bashkinë e Himarës, PS zgjedh të kandidojë sërish kryebashkiakun aktual, Gjergji Goro, ndërsa Dule do të dalë me kandidatin e tij, Fredi Beleri.
Si të mos mjaftojnë këto raste të denoncuara nga liderët politikë, po përgatiten të dalin disa emra me CV kriminale në disa bashki të vogla, dhe kështu duket se nuk po zenë mend asnjera nga partitë parlamentare, të cilat të uritura për ti marrë me çdo kusht bashkitë ku kandidojnë emra të tillë , nuk duan t’ia dijnë për shkeljen e ligjit apo për një kod etike në përzgjedhjen e kandidatëve që iu paraqesin qytetarëve për ti votuar. 
Ambasadori Amerikan Lu ka bërë thirrje të hapura për  të dekriminalizuar politikën dhe parlamentin. Ai ka insistuar me të gjitha mënyrat diplomatike si përfaqësues i shtetit më të fuqishëm të Botës që të largohen këto persona që kanë hyrë në politikë, e jo më të futen të tjerë. Natyrisht që emrat që përmendëm janë akuzuar nga liderët kundërshtarë e dikush mund të thotë se kështu do ti bëjnë “pis” padrejtësisht të gjithë emrat deri në fund të fushatës, porse ai që është korrekt dhe e njeh publiku nuk ka përse shqetsohet. Problemi është se rasti mbetet fatlum që në këto 61 bashki të  paraqiten emra kandidatësh me CV korrekte, profesionistë dhe atdhetar e natyrisht për të zgjidhur hallet e bashkive të tyre e kështu të vazhdohet në zgjedhjet e rradhës parlamentare të vitit 2017, duke pastruar njëherë e mirë politikën nga elementët e inkriminuar. Por edhe ky rast duket se nuk do të sjellë ndonjë gjë pozitive.
 Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë shansin e artë ,edhe për veten e tyre, që të shkëputen nga një prejardhje e keqe dhe komprementuese në përzgjedhjen e kandidatëve të “fortë”. Shqipëria nuk e meriton një përfaqësim të tillë parlamentar, ku siç dihet ka deputetë që duhet të jenë në burg e jo në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Dhe në këto zgjedhje vendore ku votohet për 61 drejtues vendorë, të cilët në thelb janë me të rëndësishëm se 140 deputetët e parlamentit, pasi janë si të thuash “kryeministrat” e rajoneve, duhet patjetër që të kandidohen njërëz me integritet të lartë njërëzor, profesional e atdhetar. Por jo emra që nesër prokuroria e përgjithshme do ti marrë të pandehur për krime që kanë kryer para se të kandidojnë.
 
 Është një thirrje për  Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, por edhe për Prokurorinë që ti bëjë gati hekurat për ato që shpëtojnë e kandidojnë apo edhe që fitojnë, por që kanë një thes me krime. 
 

SHKARKO APP