A ka hyrë varianti Delta në Shqipëri? Alimehmeti: Nuk e mbajmë dot jashtë
Mjeku Ilir Alimehmeti tha se pavarësisht faktit që në Shqipëri ka një përqindje të ulët të infektimeve ditore në raport me testet e kryera, mundësia e hyrjes së variantit Delta nuk përjashtohet.
Alimehmeti e cilësoi rastësi nëse ky variant nuk ka hyrë në Shqipëri, ndërsa pohoi se sipas Qendrës Evropiane të Kontrollit të Sëmundjeve, parashikohet që deri më 31 gusht, do të jenë 90% e rasteve në qarkullim me variantin Delta.
“Ne nuk kemi mundësi ta mbajmë deltën jashtë. Nëse nuk ka arritur është rastësi. OBSH njoftonte që 92 shtete kanë raporuar Deltën dhe ne kemi të gjithë fqinjët, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Greqia dhe Italia që kanë raportuar raste. Ne nuk kemi karantinë, nuk kemi kontroll në kufij dhe as mekanizëm për ta ndaluar. Duke qenë se jemi pjesë e Europës dhe ECDC thotë qartë, që deri në 31 gusht, 90% e rasteve do të jenë variant Delta. Atëherë mund të themi që një pjesë e këtyre rasteve që ne kemi mund edhe të jenë variant delta”, u shpreh mjeku në News 24, gjatë një interviste.