A ka një thyerje të re mes PD-së dhe ambasadës së SHBA?

 

Diçka duket se nuk shkon mes ambasadës së SHBA-së dhe partisë më të madhe të opozitës. Vetëm gjatë kësaj të mërkure nga selia e rrugës së Elbasanit kanë dalë dy njoftime që  “korrektojnë” qëndrimet e selisë blu. I pari është një përgënjeshtrim i hapur për organin zyrtar të partisë “Rilindja demokratike”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë deklaroi se një listë me emra deputetësh e publikuar në gazetën zyrtare të Partisë Demokratike me nëntë deputetë për të cilët RD pretendonte se janë shpallur “non grata” nga ambasada, është e rreme. Në numrin e djeshëm të RD-së pretendohej se Artur Bushi, Pjerin Ndreu, Mark Frroku, Tom Doshi, Esmeralda Shkjau, Paulin Sterkaj, Luan Duzha, Shkëlqim Selami dhe Gjovalin Kadeli ishin deputetët e majtë që nuk preferoheshin nga SHBA.

 “Lajmi i publikuar fillimisht në gazetën Rilindja Demokratike dje që i referohej një liste me nëntë deputetë të konsideruar “non grata” nga ambasada e SHBA-ve është tërësisht fabrikim,” thuhet në njoftimin e abasadës që nuk ka nguruar ta thotë me erër median ku kjo listë është botuar. Pastaj shton: “Ambasada monitoron nga afër çështje të krimit dhe korrupsionit në të gjtiha partitë politike, por Ambasada nuk e ka hartuar atë listë”.

 

Por sikur të mos mjaftonte kjo ndërhyrje ambasada ka publikuar edhe një njoftim tjetër ku ka sqaruar se mbledhja e grupit të aqpërfolur të Miqësisë SHBA-Shqipëri, nuk u shty për shkak të deputetëve të kriminalizuar, por në të kundërt për shkak të PD-së e cila nuk pranoi që ai të bëhej në prani të Ilir Metës. Ky version u pranua edhe nga vetë PD e cila në komunikatën e saj sqaronte: “Partia Demokratike mbështet shtyrjen e mbledhjes përuruese të grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-SHBA.Një mbledhje e tillë me praninë e Ilir Metës si kryetar Kuvendi, ndërkohë nën hetim dhe akuzë si dhe me pjesëmarrjen e disa deputetëve të cilët do duhej të ishin objekt i dekriminalizimit është gjykuar e papërshtatshme për pjesëmarrjen e Partisë Demokratike”.

Por pamvarësisht se në këtë deklaratë selia blu shprehte konsideratën e saj të lartë për ambasadën e ShBA-ve, shumëkush brenda PD-së i ka parë në mos me zemërim, së paku me habi qëndrimet brutale dhe arrogante të kësaj ambasade pro kryeministrit Rama menjëherë sapo ai përjashtoi Tomë Doshin. Në PD shumëkush kishte shpresuar se era e re e ambasadorit Lu do hapte një kapitull të ri, pas marëdhënieve pothuajse të pamundura me kryediplomatët Uidhers dhe Arvizu. Por sinjalet e para nuk duken shumë shpresëdhënëse.

Diçka po lëviz kundër PD-së për shkak të Sali Berishes.

SHKARKO APP