A mori Edi Rama atë që mbolli me deputetët e listës së PS-së?

 

Nga Nikoll Lesi

Edi Rama sot është kryeministër dhe kryetar i PS. Kryeministër deri në zgjedhjet e 2017, ndërsa lider i PS deri ditën që humb zgjedhjet parlamentare të rradhës. E ka thënë vetë dhe duhet t’i mbetet premtimit publik. Por derisa të vijmë tek zgjedhjet parlamentare të rradhës ka nevojë të shikojmë listën e deputetëve të PS të firmosur e përzgjedhur prej tij dhe vetëm nga vetë Edi Rama. Ai hartoi një listë të fortësh e me biznese, por nuk preferoi emra të njohur profesionistësh nga fusha të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Ndonëse i fitoi zgjedhjet, bashkë me Ilir Metën, dhe fituesi si rregull nuk gjykohet, por duke ndjekur ngjarjet e këtyre ditëve të fundit, e jo vetëm këto, është faji vetëm i Edi Ramës. Vetë i zgjodhi e i përzgjodhi emrat e të fortëve dhe ja ku mbërriti këto ditë. Por ka prapë deputetë të tjerë në PS, e jo vetëm në PS. Ka edhe Ilir Meta, edhe Lulzim Basha me shumicë. Një sëmundje e keqe e dekadës së fundit, kur në vend që të rritej niveli i deputetëve, pasi janë shumë vite demokraci, niveli ka shënuar regres të jashtëzakonshëm. Deputetë që janë sot në parlament me një CV kriminale ose më e pakta me CV idiote që të vjen zor ti takosh e jo më të japin mend për ligjet, demokracinë apo kulturën. Një turp i madh! Por Rama, nisur nga kushedi çfarë mendimesh apo këshillash, futi dhe e mbushi sallën e parlamentit me këtë kontigjent, jashtë natyrës së tij si njeri i kulturës. Kush dreqin e bindi se më mirë një të fortë e me probleme me ligjin se sa një emër nga bota e kulturës së gjerë shqiptare?  Që të mbronte votat i duheshin këto tipa? Po më mirë një deputet më pak e një grup parlamentar cilësor e që krenohesh kudo me to, se sa një mori trungjesh që të dalin në udhën e vendimmarrjes ekzekutive për të bërë një Shqipëri siç e mendon e siç synon ta realizosh.

Dhe kur mendon se akoma Edi Rama nuk ka shkelur në “minat” e tjera të deputetëve po të tjerë, të cilët nuk hanë asnjë pykë! Edi Rama mori një goditje të padrejtë këto ditë, ndonëse vetë e ka fuqizuar dhe përzgjedhur këtë stil deputeti, por kam përshtypjen se do ketë prapë telashe të tjera, jo të kësaj fushe si të këtyre ditëve. Por ama do ketë probleme pasi ai “stan” që ka zgjedhur, atë “bulmet” ka për t’i hedhur në pjatën e mazhorancës.

Edi Rama është një kryeministër, që duhet pranuar, se punon me pasion për një tjetër Shqipëri. Ndonëse me shumë gabime në përzgjedhjen e disa emrave si ministra, por gjithsesi disa punë i ka bërë, pavarësisht se është ende herët për të gjykuar tamam. Është vetëm një vit e gjysëm qeverisje. Nuk dua t’a mbroj, pasi as nuk më intereson sepse, fatmirësisht, nuk kam asnjë varësi nga kjo qeveri e as ndonjë qeveri tjetër në sensin e biznesit tim mediatik. Po e them se nuk kam asgjë që të më lidh me vargonjtë e çdo qeverie. Por në përzgjedhjen e këtij parlamenti, të cilin e kemi sot, dhurata na ka ardhur nga Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Të tre duhen “varur”, ndonëse më shumë përgjegjsia bie mbi Ramën se ka më shumë nga ky kontigjent në sallën e parlamentit.

 Por çdo e keqe ka një të mirë dhe nisur nga ajo çka po na shikojnë sytë e dëgjojnë veshët, edhe këto ditë, Edi Rama dhe gjithë klasa politike do të mësojnë se nuk duhet hartuar lista të tilla në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Një herë falet, por herë të dytë nuk duhet të ketë. Në të kundërt zhbëhesh krejt në sytë e publikut. Kjo vlen edhe për Lulzim Bashën, pasi edhe ai ka plot “vathën” demokrate të lëna peng nga koha e Berishës me të tillë deputetë. Nuk është një e keqe vetëm për ata të dy, Ramën e Bashën, por një fatkeqsi për krejt popullin me këtë soji deputetësh.

Nuk e meritojmë një poshtërim të tillë si popull! Nuk e meritojmë, pasi ka plot emra të shkelqyer me një barrë mend e kulturë, të cilët përfaqësojnë komunitete, klasa e shtresa të shoqërisë, profesione të ndryshme, etj, me të cilët krenohen jo vetëm partitë, por një shoqëri. Të tillë, elitë, ka jo vetëm brenda kufirit shtetror, por edhe një numër i jashtëzakonshëm shqiptarësh të cilët jetojnë, apo studiojnë e punojnë jashtë Shqipërisë.

Pse nuk i ofrojnë këtë kontigjent as PS e as PD? Kjo është pyetje së cilës duhet ti përgjigjen Edi Rama e Lulzim Basha, si dy forca të mëdha pushteti.

SHKARKO APP