A mund të sëmuren rëndë gratë shtatzëna që infektohen me Covid-19?

Gratë shtatzëna që janë të shëndetshme nuk mund të sëmuren rëndë me Covid-19, sipas një studimi të publikuar nga “Daily Mail”.

Ekzistonte frika që nënat do të ishin më të rrezikuarat për shkak të virusit, sepse sistemi i tyre imunitar është më i dobët gjatë shtatzënisë.

Por studiuesit kanë hedhur poshtë të gjitha shqetësimet, pasi analizuan të dhënat e 2 milion grave nga Britania e Madhe, SHBA-ja dhe Suedia.

Ata zbuluan se gratë që nuk kishin probleme të rënda shëndetësore, nuk rrezikonin të prekeshin rëndë nga Covid-19.

Por, gratë shtatzëna me probleme të mëparshme shëndetësore, të tilla si sëmundjet e mushkërive, të zemrës, të veshkave dhe diabeti, kishin më shumë të mundësi të përfundonin në spital.

Akademikët e “Kolegjit Mbretëror” në Londër, të cilët drejtuan studimin, thanë se këto gra duhet të monitorohen nga afër.

Shkencëtarët nuk janë ende të qartë nëse foshnjat mund të infektohen me virusin në bark, pavarësisht provave që sugjerojnë se është e mundur.

“Kolegji Mbretëror i Obstetërve dhe Gjinekologëve” thotë se çdo fëmijë që u diagnostikua me Covid-19 menjëherë pas lindjes, ishte ‘mirë’: “Duke pasur parasysh provat e tanishme, edhe nëse jeni prekur nga virusi, nuk është e mundur që ai të shkaktojë probleme në zhvillimin e foshnjës. Nuk ka prova që tregojnë se mund të abortoni nëse infektoheni nga koronavirusi gjatë shtatzënisë.”

Por për shkak se virusi ka vetëm tetë muaj që është shfaqur, ekspertët nuk janë të sigurt nëse foshnjat janë në rrezik apo jo.

Për shembull, studiuesit ende nuk kanë zbuluar nëse foshnjat e lindura nga gra të sëmura rëndë, janë më të rrezikuara.

Foshnjat mund të jenë në rrezik dhe mund të infektohen me koronavirus nga nëna e tyre gjatë shtatzënisë, kanë paralajmëruar shkencëtarët më parë, por nuk ka asnjë provë të qartë për këtë.

Studiuesit nga Italia thanë më 9 korrik se kishin gjetur shenja të virusit në disa mostra gjaku tek kordoni i kërthizës, placentës dhe, në një rast, tek qumështi i gjirit, kur analizuan gjendjen e 31 grave me Covid-19 që lindën gjatë periudhës mars-prill.

Por, sipas tyre, mundësia e infektimit të fetusit duket relativisht e rrallë.

SHKARKO APP