A2 News, partner ekskluziv i CNN, nisi transmetimin

A2 News, partner ekskluziv i CNN, nisi transmetimin

Tiranë – Televizioni A2 News nisi transmetimet për shikuesit shqiptarë në Shqipëri dhe në të gjitha hapësirat e tjera shqipfolëse më 6 dhjetor 2018. A2 News, partner ekskluziv i CNN, kërkon të sjellë një standard të ri për televizionet informative në Shqipëri

A2 News është themeluar si partneritet ekskluziv ndërmjet CNN (Cable News Network) dhe kompanisë shqiptare Gener 2. Ai është një televizion informativ me 24 orë lajme, i cili pritet të sjellë standarde ndërkombëtare të gazetarisë dhe vlerat e CNN-it në skenën e medias shqiptare.

Swiss Digital Desktop Reklama

Administratori i A2 Andri Kasneci tha se ndërsa projekti ishte materializuar në kohë rekord, nuk kishte vend për vetëkënaqësi. “Ishte një sfidë e vërtetë të realizohej një projekt i tillë në më pak se një vit, dhe merita i shkon më së pari skuadrës sonë prej ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë mbështetjen e madhe që patëm nga kolegët e CNN”.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Tani fillon detyra e vërtetë, e cila është të përmbushim premtimin ndaj shikuesve shqiptarë dhe bashkëpunëtorëve tanë. Nuk ka për të qenë e lehtë, por jemi këtu për të fituar mbi çdo sfidë me qëllimin e fundmë që të japim lajme dhe përmbajtje të vërteta dhe profesionale ndaj audiencave tona”, tha Kasneci.

A2 do të mbulojë kryesisht lajme lokale për audiencat shqipfolëse dhe gjithashtu, do të bashkëpunojë ngushtë me rrjetin e CNN për shkëmbimin e përmbajtjes. Ndërsa lajme nga rrjeti i CNN do t’u transmetohen audiencave shqipfolëse përmes A2, ky i fundit do të ofrojë lajme lokale për CNN International.

Greg Beitchman, Zëvendës President për Shitjen e Përmbajtjes dhe Partneritetet për CNN International Commercial, i cili foli në eventin që i parapriu lëshimit të sinjalit të A2, tha se televizioni i ri do të ndikonte edhe më shumë debatin e lirë publik dhe do të inkurajonte një shoqëri transparente.

“Mirëserdhët në Familjen e CNN. Ne jemi të përkushtuar në mbështetjen e standardeve më të larta në gazetari. Nuk është thjesht një qasje njëanëshe por një marrëdhënie dypalëshe, ndërsa ne qëndrojmë krah për krah me A2”, tha Beitchman.

Anna Stewart, reportere në CNN Londër, gjithashtu mori pjesë dhe foli në të njëjtin event. Në fjalën e saj ajo theksoi nevojën për gazetari të besueshme dhe cilësore në një epokë lajmesh të rreme, dhe veçanërisht në Shqipëri, si një vend që ka përjetuar zhvillime të mëdha politike dhe ekonomike.

Skuadra prej 70 anëtarësh të A2 News përfshin një sërë profesionistësh prej më të talentuarve dhe me më shumë përvojë në Shqipëri. I njëjti staf u përfshi në një seri trajnimesh të mbështetura nga CNN në SHBA, Shqipëri dhe vendet e rajonit.

A2 është i bazuar në Tiranë me njësi mbështetëse lajmesh në qytete të tjera të Shqipërisë dhe në vendet fqinje.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?