Analisti Enton Abilekaj: Rama është i angazhuar për të prishur zgjedhjet
Analisti Enton Abilekaj ishte i ftuar i mbrëmjes i gazetares Juli Krisafi në SYRI TV.
Duke komentuar mbledhjen e Këshillit Politik, ai tha se ky këshill nuk e ka mbyllur akoma mandatin.
Referuar mbledhjes së Këshillit Politik, ku ishte edhe Edi Rama dhe Gazment Bardhi, ai tha se “opozita e kompleksuar nga ideja e bashkëpunimit prej ndërkombëtarëve, pranoi të ndryshojë edhe formatin e Këshillit Politik. Ky ishte një pushtim i ambienteve të Këshillit Politik”.
Abilekaj komentoi nismën e qeverisë për ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë të njëanshme, duke thënë se këtë nuk e ka bërë asnjë qeveri apo regjim në vend.
“Rama është formalisht i angazhuar për të prishur zgjedhjet,” tha Abilekaj.
“Qëllimi është përçarja e opozitës dhe ndërlikimi i frontit opozitar, që në letra është fitues. Me listat e hapura e komplikon procesin e votimit,” tha analisti.
“Opozita nuk ka pasiguri. Opozita nuk ka vënë në diskutim qëndrimin ndaj zgjedhjeve. Por asaj i lejohet të kundërshtojë një akt të paprecedent. Kjo nuk është një çështje vetëm e opozitës. Të paktën kushtet ligjore duhet të jenë të barabarta për të garuar,” tha Abilekaj, duke theksuar se nuk ka ndodhur kurrë që kushtet ligjore të mos jenë të barabarta për zgjedhje.
“Kjo qeveri po angazhohet që nuk do bëjë zgjedhje të lira dhe të barabarta. Çfarë pritet që të bëjë kjo qeveri kur të vijnë zgjedhjet dhe fushata elektorale?” tha analisti.