Ademi: Vetting-u në Polici të mos jetë selektiv si në gjyqësor
13 janari është festë për Policinë e Shtetit por në 107-vjetorin e themelimit, kryebashkiakja demokrate e Shkodrës, Voltana Ademi, u kujtoi sfidën pastrimit nga efektivët e lidhur me të inkriminuarit apo të vënë sipas saj në shërbim të politikës. ”Spastrimi i rradhëve të saj nga elementë të inkriminuar, bashkëpunëtorëve të kriminelëve të rrugës dhe atyre me kollare, duhet të dalin një orë e më parë nga rradhët e Policisë së Shtetit”.
Pastrimin e strukturës nga ata që nuk e meritojnë uniformën pritet ta bëjë Vetting-u në Polici për të cilin kryebashkiakja e një prej qyteteteve të goditura rëndë nga krimi uroi të mos bëhet si ai në Drejtësi.
Edhe pse nuk ishte dita e analizës, zëvendësdrejtori i Policisë së Qarkut, Lorenc Meta foli për rritje të sigurisë publike. ”Sot qarku i Shkodrës është shumë më i sigurt për pronën dhe jetën e qytetarëve, bizneset dhe turistët që na vizitojnë”. Pjesë e festës së policisë ishin edhe klerikët e drejtues të organeve të tjera të drejtësisë, që bashkëpunojnë me këtë strukturë në hetimin e ngjarjeve.