Administrata Tatimore thirrje tatimpaguesve: Përditësoni saktë kodin ekonomik të aktivitetit tuaj
Nga dita e nesërme 1 janar 2024 hyn në fuqi ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Përmes ligjit të ri, të ardhurat nga punësimi do të tatohen sipas normave progresive 13% dhe 23%; të ardhurat neto nga biznesi tatohen sipas normave progresive 15% dhe 23%; të ardhurat nga investimi tatohen sipas normave respektive 8% dividendi dhe ndarjet e fitimit dhe 15% të ardhurat e tjera nga investimi.
Përmes ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” nga 1 janari 2024 të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0%, por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi, pas shpenzimve të zbritshme sipas nenit 22 të ligjit, të vetëpunësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%.
“Për të ardhurat vjetore nga biznesi, për të cilat baza e tatimit është e ardhura neto e tatueshme, pra diferenca e të ardhurave minus shpenzimet e zbritshme, zbatohen normat progresive, si më poshtë:
a) 15% për të ardhurat neto të tatueshme (fitimi i tatueshëm) deri në 14.000.000 lekë në një vit tatimor;
b) 23% për çdo lekë shtesë të të ardhurave neto të tatueshme (fitimit të tatueshëm) mbi 14.000.000 lekë në vit”, thuhet në Udhëzimin e përgjithshëm “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Udhëzimi gjithashtu përcakton se nëse një i vetëpunësuar, 80 % të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) i siguron nga 1 klient i vetëm, apo 90 % të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) nga më pak se 3 klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto (të ardhura të arkëtuara minus shpenzimet e zbritshme të biznesit) vjetore/mujore të tij, do të aplikohen normat e tatimit mbi pagën.
Ndërkohë është publikuar edhe lista me aktivitetet ekonomike të cilat do t’i prekë taksimi i ri. Tatimpaguesit duhet të kontrollojnë listën për të kuptuar nëse janë të përfshirë ose jo në listë në mënyrë që të bëjnë ndryshimin/përditësimin e kodit ekonomik në përputhje me aktivitetin që ushtrojnë.