Aeroporti i Shkupit i përgjigjet Vjosa Osmanit: Vepruam në përputhje me ligjin! Gërvalla: Kemi kërkuar sqarime

Si kurrë më parë, dhe si asnjë kryetar shteti në botë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është përballur me një sulm të rëndë dhe të dënueshëm të enjten në Shkup, pasi do ta përdorte këtë aeroport si tranzit për të shkuar në Slloveni. Presidenca e Kosovës informoi se sigurimi i aeroportit të Shkupit tentoi që të marrë me forcë telefonin personal të Osmanit dhe që zytari tentoi edhe fizikisht të shtyhet me forcë, por që ka ndërhyrë policia e Kosovës. Sipas njoftimit, pala maqedonase ka marrë edhe çantën personale të dorës së presidentes.

”Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes”,-thuhet në njoftimin e Presidencës.

Aeroporti i Shkupit thotë se veprimet e forcave të sigurisë kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi, pasi kanë detyrim të ushtrojnë kontroll për të gjithë pasagjerët. Në reagim thuhet se edhe pasagjerët që udhëtojnë në pjesën VIP janë gjithashtu subjekt i kontrolleve. Ministria e Jashtme e Kosovës tha se ka kërkuar sqarime nga Shkupi, ndërsa e cilësoi situatën si një trajtim jodinjitoz ndaj Presidentes Osmani.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, e cila deklaroi se një nga pjesëtarët e sigurimit të Osmanit ka ndërhyrë me qëllimin që ajo të kalonte telefonin dhe valixhen pa e skanuar. Për më tepër, ministria maqedonase thotë se 3 persona, pjesë e sigurimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Afrim Gashi, filluan të kërcënojnë punonjësit e aeroportit. Ndërsa, zv.ministër i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Astrit Iseni, shtoi se kanë nisur hetimet për incidentin. Figura të larta politike në Kosovë, por edhe Maqedoninë së Veriut kanë kritikuar veprimet e autoriteteve të Aeroportit të Shkupit, duke i cilësuar si provokim dhe të padenja.

SHKARKO APP