Aeroporti i Vlorës, juristi Ylli Manjani: Ndërhyrja e shtetit nuk ka të bëjë me përqindjet
Juristi Ylli Manjani, thotë se çështja e aeroportit të Vlorës, nuk duhet parë si një debat politik, por si një çështje që lidhet me interesin e Republikës së Shqipërisë. Manjani nënvizon se aeroporti i Vlorës është një investim me rëndësi publike dhe se shteti nuk mund të qëndrojë pasiv përballë moszbatimit të afateve të parashikuara në kontratë.
”Çështja e aeroportit të Vlorës nuk është çështja e Behgjet Pacollit, nuk është as çështje e Edi Ramës. Është çështje e Republikës së Shqipërisë. Është çështje e një investimi në Republikën e Shqipërisë. Na pëlqen apo s’na pëlqen, jemi dakord apo s’jemi dakord, është një fazë e tejkaluar.
Është totalisht historia që Shqipëria duhet të ketë një aeroport, duhej ta kishte një aeroport të dytë në Vlorë që prej shkurtit të këtij viti. Dhe që prej shkurtit të këtij viti e sot jemi në fillim të gushtit, ky aeroport nuk është ndërtuar. Do të thotë detyrimi kontraktor nuk është realizuar dhe shteti nuk mund të rrijë duarkryq. Është fare e thjeshtë. Kjo është një kontratë. Nuk ka lidhje fare me politikë apo me histori personale.
Kjo nuk është çështje do fitojë apo s’do fitojë Behgjeti, do fitojë apo s’do fitojë Edi Rama, apo le të themi ortakët e Behgjetit. Është një histori që prej një viti çfarë s’kemi dëgjuar. Nga një gjyq në tjetrin, nga një ortak në tjetrin, histori që s’mbarojnë kurrë. Fundi i historisë është ky, ne na duhet aeroporti. Ky aeroport nuk është dhe për pasojë shteti duhet të ndërhyjë. Kaq, fare e thjeshtë”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?
Results
Vota totale: 4479

