Agim Vinca: As në vdekje nuk jemi të barabartë!
Aktualitet Forum E Diel, 17 Janar 2021 14:36
Nga Agim Vinca –
Më 11 janar, në spitalin e qytetit në Strugë, u nda nga jeta im vëlla, Selami Vinca, mësues në pension. E rrëmbeu murtaja e kohës sonë, koronavirusi, por edhe disa komplikime të tjera shëndetësore.
U shtri në spital natën e Vitit të Ri, më 31 dhjetor dhe nuk doli më i gjallë, edhe pse ndërkohë, na thuhej se kishte përmirësime.
Po të mos e kishte prekur virusi famëkeq, që ia mori jetën në mëngjesin e 11 janarit, im vëlla do ta vazhdonte udhëtimin e tij jetësor, sepse deri para dy-tre muajsh gëzonte shëndet të mirë.
Që nga koha kur e kreu Normalen në Shkup në vitin 1962 (më vonë edhe Akademinë Pedagogjike) e deri në pension, im vëlla, Selami Vinca, ka punuar mësues në vendlindje.
Tërë jetën ia kushtoi arsimit, por edhe rezistencës kundër diskriminimit, për çka edhe u përndoq dhe u burgos.
Detyrën e mësuesit e ushtroi me përkushtim të veçantë, madje me pasion, gjë që e dinë më së miri ish-nxënësit e tij, kudo që janë, por edhe kolegët, ata që ua njohin vlerat të tjerëve.
Jo pak nga ata që u ka dhënë mësim në shkollën fillore në Veleshtë, dekada me radhë, disa prej të cilëve sot janë personalitete publike, thonë se në klasë ai ishte jo vetëm mësues, por edhe artist.
Lexonte bukur dhe edhe më bukur këndonte. Kishte dhunti të rrallë për muzikë, vokale e instrumentale, të lindur, por edhe të kultivuar në shkollën normale “Zef Lush Marku” në Shkup, të njohur për punën që bëhej atëbotë në përgatitjen komplete të mësimdhënësve të ardhshëm.
Një ish-nxënës i tij që e njoha në ditën e zisë, i biri i një bariu të fshatit, babain e të cilit e mbaj mend mirë, më tha se kur kishte shkuar të regjistrohej në klasë të parë asnjëri nga mësuesit nuk kishte dashur ta merrte në klasën e tij. “Më mori msusi Selami”, tha, duke shtuar sakaq fjalën “Xhaxhi”, që ishte nofka me të cilën njihej im vëlla.
Gjatë jetës, krahas ditarit, mbajti në dorë edhe mandolinën, me të cilën i shoqëronte këngët që këndonte, kryesisht këngë të vjetra qytetare dhe muzikë e lehtë. Ka qenë anëtar aktiv i disa ansambleve dhe orkestrave lokale në Veleshtë, Strugë, Pogradec etj. Edhe burgosja e tij dhe e dy kolegëve të tij në vitet ‘70 (1976) ndodhi për shkak të këngëve. U qe zënë për të madhe që kishin kënduar këngë për Bajram Currin e Mujo Ulqinakun, sepse “s’janë të këtij nënqielli”, u kishin thënë në “Organe”. U akuzuan se kishin kënduar këngë për Enver Hoxhën në programin muzikor me nxënësit, veçse emrin “Enver” e kishin zëvendësuar kinse me fjalën “pranverë”! (“Lule t’bukura plot me erë, i kam sjellë për ty Enver/ në pranverë”! ). Ishte, sigurisht, një akuzë e kurdisur dhe një proces me dëshmitarë të rrejshëm.
Pas pensionimit, filloi të merrej edhe me shkrime dhe t’i frekuentonte, tok me Tixhen, manifestimet letrare në Strugë, Dibër, Shkup, Elbasan, Korçë e gjetkë. Pos aktivitetit të frytshëm në fushën e muzikës, ku i kishte shokët të rrallë, shkroi dhe dy libra për historinë e familjes dhe për telashet e tij me njerëzit e pushtetit dhe me shërbëtorët e tyre lokalë, të cilëve u këndërvihej në të gjitha mënyrat, edhe me atë “instrumentin”, që s’po ia përmendim emrin.
Nuk dua të flas më shumë për tim vëlla. Nuk më takon mua. U takon atyre që e kanë njohur dhe që kanë punuar e bashkëpunuar me të, në kushte kryesisht të vështira, herë-herë edhe të rrezikshme.
Është e kuptueshme që njerëzit të presin nga unë të shprehi dhimbjen për humbjen e vëllait, por ja që “ra ky mort e u pamë”: më duhet të flas, pa dashje, për një problem me interes vital për jetën e vëllezërve tanë në Maqedoni, pra për një çështje me karakter politik.
Isha i interesuar të mësoja shkaqet e vdekjes së tim vëllai dhe ku më mirë se në dokumentin zyrtar të institucionit shëndetësor ku qe shtruar, Spitalit të Qytetit në Strugë, do të mund ta mësoja këtë.
Bashkë me trupin e tij të pajetë, të mbështjellë me një çarshaf e jo në arkivol, siç do të duhej, morëm edhe raportin me shkrim për vdekjen dhe shkaqet e saj.
Formulari, që u bë shkas i këtij shkrimi dhe që po e bashkëngjesim në formë faksimili, është vetëm në gjuhën maqedonase, edhe pse Struga është komunë me shumicë shqiptare.
Në raportin e lëshuar nga JZU-ja e Strugës (Javna zdravstvena ustanova “Gradska bolnica”/ Institucioni Publik Shëndetësor “Spitali i Qytetit”) jepen të dhënat për të ndjerin: emri, mbiemri, emrat e prindërve, datëlindja, vendlindja, profesioni, gjendja civile etj. Të gjitha në maqedonisht. Vetëm në maqedonisht dhe me alfabetin cirilik! Asnjë fjalë shqip. Madje edhe emri i të ndjerit, që gjatë tërë jetës ua kishte mësuar nxënësve të vet shkronjat shqip, shkruhet me shkronja cirilike! Dhe me mbiemër përpara, si në sllavisht! Jo Selami Vinca, po Vinca Selami!
Ku është barazia gjuhësore, me të cilën mburren aq shumë politikanët shqiptarë në Maqedoni? As në vdekje nuk jemi të barabartë!
Nuk është faji i mjekut maqedonas, dr. M. J. Jo. Ai nuk ka faj. Njësoj do të vepronin edhe mjekët shqiptarë. Problemi nuk është individual, por institucional. Formulari i Entit Republikan të Statistikës është i shkruar ekskluzivisht në maqedonisht.
E, thonë se gjuha shqipe në “Republikën e Maqedonisë Veriore” është gjuhë zyrtare! E barabartë me maqedonishten! Ose – gati e barabartë! Përrallisin pa pushim deputetë, ministra, zëvendës-ministra e zëvendëskryeministra, drejtorë agjencish e kryetarë partish, të vjetër e të rinj, “të majtë” e “të djathtë”, të tillë e të atillë: “Shqipja, gjuhë zyrtare!”. Kështu thonë, ndërsa enden me vetura zyrtare e marrin rroga e mëditje të majme dhe shesin mend e patriotizëm poshtë e lart nëpër studio televizive e portale, jo vetëm në Shkup e Tetovë, ku i kanë zyrat, por edhe në Prishtinë e në Tiranë.
Por ja që “Severna Makedonija” nuk ua garanton qytetarëve shqiptarë të drejtën elementare të gjuhës amtare, madje as në çastin final të jetës, kur ikin përgjithmonë nga kjo botë. A ka fakt më domethënës se ky raport zyrtar, i lëshuar më 11 janar 2021?!
As në vdekje nuk jemi të barabartë, o Zot! Zyrtarisht jo. As në komunat me shumicë shqiptare. Po të ndodhte kështu me serbin në Kosovë do të shkonte puna deri në OKB!
Që në RMV nuk është zgjidhur ende problemi i statusit të gjuhës shqipe, fajin e kanë në radhë të parë partitë politike shqiptare në këtë shtet, të cilat nga zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991 e deri më sot, pra plot tridhjetë vjet, participojnë në pushtet, por as shteti amë, Republika e Shqipërisë, nuk është pa faj, e as “shteti i dytë shqiptar në Ballkan”, Republika e Kosovës, nuk mund të amnistohet krejtësisht.
Qe tridhjetë vjet Tirana zyrtare betohet për Maqedoninë. Ia njeh të tëra: gjuhë, territor, kufij, identitet. As Prishtina nuk mbetet shumë prapa. Krejt ndryshe vepron Bullgaria. Vuri veto për çeljen e negociatave të RMV-së në BE, për shkak të gjuhës, historisë dhe identitetit maqedonas, që Sofja zyrtare nuk e njeh (nuk ka ekzistuar para vitit 1945, thonë). Edhe Serbia, “motra e madhe”, ia konteston kishën autoqefale. Greqia e detyroi ta ndryshonte emrin.
Vetëm shqiptarët përbehen për shtetin fqinj me ish-emrin “IRJM” dhe me emrin e ri “RMV”!
Kurse njerëzit atje, as në rast vdekjeje, nuk regjistrohen në gjuhën e tyre amtare.
Në fund të vitit që lamë pas, në Tetovë, në një ceremoni të paparë në kushtet e pandemisë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, u shpall “Doktor nderi” i Universitetit të Tetovës ose, siç u pëlqen më shumë provincialëve tanë që nuk dinë asnjë fjalë latinisht (u tingëllon më bukur!): “Doctor honoris causa”.
Njeriu që tash njëzet vjet i përfaqëson shqiptarët në shtetin me emrin “Maqedonia e Veriut”, duke qenë pjesë e koalicionit qeveritar, edhe me Gruevskin, edhe me Zaevin (dreqin e të birin!), shpallet “Doktor nderi” i Universitetit Shtetëror të Tetovës ”për kontributin e tij në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”, por shqiptarët në këtë shtet, në shtetin në të cilin ai i përfaqëson ata qe njëzet vjet, ende jetojnë dhe vdesin maqedonisht!