Agjencia e Kadastrës: 702 milionë lekë për 890 pronarë
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka gati listën për kompensimin e 890 pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje. Përfituesit do të marrin në total 702 milionë lekë. “Gazeta Shqiptare” publikon listën e plotë me pronarët që do të kompensohen në 12 qarqe, ku përveç gjeneraliteteve të përfituesit, janë sipërfaqet që kompensohen dhe shuma në para për secilin. Vendimi për kompensimin dhe shuma përkatëse është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe i mbetet Agjencisë së Trajtimit të Pronave të çelë procedurën për shpërndarjen e fondit të miratuar. Ligji përcakton që për kompensimin e pronarëve përdoren ato të ardhura që arkëtohen nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës si rrjedhojë e kalimit të pronësisë ndërmjet shitjes së parcelës ndërtimore si për pasuritë shtetërore dhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.
Aplikimi
Procesi i regjistrimit apo pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës që Agjencia e Trajtimit të Pronave bën njoftimin publik. Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të ATP-së ngrihet grupi i punës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Grupi i punës brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për kompensimin e pronës kryen verifikimet e duhura. Drejtori i përgjithshëm i ATP-së brenda 30 ditëve nga data e përfundimit të procesit të verifikimit nga grupi i punës nxjerr vendimin me emrat e subjekteve që përfitojnë nga kompensimi dhe urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen.
Gjithashtu, ai njofton edhe aplikantët që nuk përfshihen në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes. Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë ATP-së, Tiranë, kërkesën tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Në listën e dokumenteve është dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Sipas ligjit, për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi. Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme. /G.SH/

