Agjenti i policisë kriminale të Kamzës kapet me 1 milionë euro cash në makinë!

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra inspektorin A. K. agjent i policisë kriminale në Komisariatin e Kamzës, pasi ai u arrestua në Kosovë së bashku me dy persona të tjerë, nën dyshimin për përfshirje në një rast të transportimit të një shume të madhe parash të padeklaruara ku sipas mediave kosovare flitet për 1 milionë euro cash.

Rasti u zbulua nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila vendosi ndalimin për 48 orë të policit shqiptar dhe dy shtetasve kosovarë, të identifikuar si Etnik Ahmaxhokaj dhe Ardit Laska, të dyshuar për veprën penale të pastrimit të parave.

Sipas autoriteteve kosovare, automjeti tip furgon, që dyshohet se i përket policit A. K. u përzgjodh për kontroll të detajuar në pikëkalimin kufitar të Merdarës, bazuar në analizën e riskut. Fillimisht mjeti iu nënshtrua kontrollit me skaner me rreze X, ku u konstatuan ndërhyrje të dyshimta në pjesën e dyshemesë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Pas kontrollit të thelluar me pajisje fibroskopike, Policia Kufitare e Kosovës zbuloi një hapësirë të modifikuar ku ishin fshehur pako me para. Pas numërimit, shuma rezultoi rreth 1 milion euro të padeklaruara.

Swiss Digital Mobile Reklama

Autoritetet në Kosovë dhe Shqipëri po vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën e parave dhe destinacionin final të tyre. Dyshimet paraprake janë se bëhet fjalë për fonde që lidhen me aktivitet kriminal dhe që transportoheshin përmes rrugëve tokësore mes vendeve të rajonit.

Ndërkohë, Policia e Shtetit në Shqipëri ka nisur procedurat disiplinore ndaj efektivit të saj, ndërsa pritet bashkëpunim i mëtejshëm mes institucioneve shqiptare dhe kosovare për zbardhjen e plotë të çështjes.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ftesa e Trump e shpëton Ramën nga sulmet e brendshme politike?