Agron Duka: PAA një model alternativ për angazhimin politik

Partia Agrare Ambientaliste ka zhvilluar sot një takim me strukturat e kësaj force politike në Kukës. Kreu Agron Duka tha se ka nisur organizimi për zgjedhjet lokale të 2019-s dhe kërkoi angazhim maksimal për rritjen e Partisë Agrare Ambientaliste.
Duka u shpreh se PAA është një alternativë ndryshe ndaj partive tradicionale. Në këtë takim u kërkua angazhim maksimal që në zgjedhjet e ardhshme lokale të rritet rezultati i pjesëmarrjes në këshillat bashkiak.
Duka foli për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohëshme, por nënvizoi rrezikun që vjen nga përsëritja e fenomenit të shit-blerjes së votës të praktikuar nga mazhoranca.
 Pjesë nga fjalimi i Dukës:
Ky është viti i tretë radhazi që qarku shënon një rënie të ekonomisë, duke e renditur këtë qark si më të varfrin e Shqipërisë. 
Produktet bujqësore të Kukësit nuk gjejnë treg; mijëra ton patate që kultivohen në zonat e thella të qarkut, rrezikojnë të mbeten pa shitur. Sigurisht mungesa e subvencioneve, akciza e naftës e bën këtë produkt jo konkurrues. 
Bujqësia është ende si në mesjetë. Në zonat rurale të Kukësit fermerët i janë rikthyer parmendës. Kostoja e lartë e mbjelljeve të pranverës i kthen ata vite pas në kohë, kur toka plugohej me punë krahu.
Varfëria në këtë qark pritet të thellohet edhe më shumë nëse rinis aplikimi i tarifës së koncesionit në Rrugën e Kombit. 
 
Kjo situatë, që ju si kuksianë njihni më mirë se unë, është një apel ulëritës për veprim. Ne jemi sot këtu sepse duam të punojmë bashkë me ju për të krijuar një alternativë ndaj këtij mjerimi në të cilin është harruar qarku i Kukësit. 
Ndryshe nga forcat e tjera politike, të cilat tashmë e kanë transformuar pabesinë në praktik të përditëshme, ju garantoj se Partia Agrare Ambientaliste është e vetmja forcë morale, e cila e ka ngritur identitetin e saj mbi fjalën e mbajtur dhe qëndrestrinë ndaj çështjeve që ne duam dhe do të përfaqësojmë. 
Kemi krijuar në këto dy vite profilin e një partie të fokusuar tek politikat konkrete, tek strategjitë për bujqësinë, për zhvillimin rural, mjedisin dhe turizmin, të gjitha të domosdoshme për këtë qark.
Refoma territoriale i ka dhënë bashkive një dimension rural që më parë nuk kishin. Sot këshilltarët duhet të jenë të përgatitur jo vetëm për të përfaqësuar banorët e qyteteve, por edhe të fshatrave. Ne kemi profesionistët dhe ekspertët që do të përfaqësojnë denjësisht këto zona të harruara. 
Për të realizaur përfaqësimin e denjë të këtyre zonave, ne nisim nga këtu punën për zgjedhjet e ardhshme lokale në të cilat kemi potencialin për të pas përfaqësuesit tanë në këshillat bashkiake të Kukësit, Hasit dhe Tropojkës. 
Realizmi i objektivave tona nuk do të bazohet vetëm në forcën e strukturave të PAA-së në këtë qark, por nëpërmjet një modeli alternativ të angazhimit politik. Duhet të jemi të hapur, jo vetëm ndaj atyre që tradicionalisht merren me politikën, por do të kërkojmë angazhimin dhe përfshirjen e qytetarëve që janë aktiv në komunitet, shoqërinë civile, intelektualët, akademikët, sportistët, fermerët, grupet e interest të cilët kanë jo vetëm përvojë për të sjell një frymë të re, por janë tashmë të ndërgjegjshëm që politika nuk mund të jetë autike ose vet referuese. 
 
Nuk e them këtë për retorikë, as për propagandë, por unë besoj tek vlerat e gjithë shqiptarëve, jo vetëm të atyre që merren me politikë, por të gjithë atyre që politika e sotme ju duket një gjë e pistë.  Nuk është kështu, dhe nuk duhet të dorëzohemi përpara atyre që e kanë kthyer në një gjë të tillë. Prandaj ju them ejani dhe bëni ju diferencën. 
PAA është shtëpia juaj nëse doni të jeni ndryshimi që kërkoni për jetën tuaj dhe të familjeve tuaja. Ejani dhe tregoni se keni talentin, vlerat dhe vendosmërinë për t’u ngjitur në lartësinë e përgjegjësivet që kemi ndaj fëmijëve tanë dhe të gjithë Shqipërisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?