Agron Duka zbulon kërkesat e agroturizmit: Duhen subvencione direkte, paketat e Ramës nuk mjaftojnë

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, foli në rubrikën “Opinin”, në News24, për problematikat e agroturizmit dhe ndikimin e koronavirusit në këtë sektor.

Duka tha se qeveria duhet të subvencionojë direkt bujqësinë, duhet të ulë çmimet e karburanteve për këtë sektor, si dhe të paguajë të gjithë ata që kanë mbetur pa punë, për shkak të pandemisë.

Sipas kreut të PAA, paketat e qeverisë për rimëkëmbjen e kësaj situate janë të pamjaftueshme, pasi jemi në fund të rajonit për fondet e vëna në dispozicion.

“Klima e qeverisë ndaj agrobiznesit nuk ka qenë ndonjëherë e mirë. Këshilli i agrobiznesit ka bërë një takim me Bashën. Jemi drejt një firmosjeje të një bashkëpunimi për të ardhmen, që konsiston në pikat kryesore, që ata i kanë thënë dhe që i kërkon bujqësia shqiptare.

Ajo që ne kemi thënë gjithmonë janë subvencionet direkte në bujqësi. Problemi është sa do jemi ne të aftë të diktojmë forcën. Duhet ulja e çmimeve të karburanteve, se edhe sot që kanë rënë në gjithë botën, te ne një njeri që punon tokën e paguan njëlloj me një njeri që nget makinën. Ka shumë miliarderë që vijnë në Sarandë dhe e marrin naftën njësoj si ata të bujqësisë.

PS kur erdhi në pushtet një nga pikat kryesore kishte heqjen e akcizës së naftës. Një pikë tjetër është kompensimi i prodhuesve të bujqësisë, në raste të fatkeqësive natyrore, si në këtë rast. Kjo duhet parashikuar në ligj. Ministri më revoltoi, kur tha se bujqësia nuk ka nevojë për subvencione. Nëse do të vazhdohet kështu, pa subvensione direkte dhe pa paketa ndihmëse, do të kemi shumë problematika në bujqësi në të ardhmen, siç kemi në fakt edhe tani, se njerëzit po largohen nga fshati.

Shqipëria e ka borxhin e lartë, në rreth 70%. Në kushtet e pandemisë, vetëm përmes rritjes së borxhit mund të kalojmë situatën. Nëse do të shohim shifrat, qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion 0.86% të PBB. Jemi të fundit në rajon për fonde te vëna në dispozicion për kalimin e situatës. Kjo nuk bëhet përmes kredive, me këtë garancinë sovrane këta japin kredi me 2.8%. Duhet të shtyjnë, jo të falin, disa detyrime të biznesit ndaj shtetit, minimalisht deri në fund të këtij viti. Duhen paguar të gjithë ata që janë shkëputur nga puna, jo në mënyrë selective me këto paketat që po bëjnë keta. Të gjithë njerëzit që kanë ndërprerë punën për shkak të pandemisë duhen paguar. Kjo paketë e vënë në dispozicion nuk mjafton”, tha Duka.

Çfarë pritet të ndodhë me turizmin?
Kjo nuk është e vështirë vetëm për Shqipërinë, por pa u zhdukur kjo situatë pandemike, turizmi nuk mund të marrë frymë lehtësisht. Duhet të parashikojmë të ardhmen, të mos asfiksohemi nga gjendja ekonomike depresive. Shpresat janë, sepse vendi ynë është turistik. Nëse nuk kalon situate, ne do të kemi vetëm një turizëm të brendshëm, që nuk sjell shumë para në Shqipëri.

Cilat janë linjat që do të ndjekë opozita?
Ne kemi bërë disa takime. Së fundi, thuajse të gjithë kryetarët e opozitës kanë qenë të mendimit se duhet të fillojmë patjetër të lëvizim për zgjedhjet e ardhshme. Ne do kemi gjithmonë si qëllim që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të bëhen sa më shpejt të jetë e mundur. Duhet të marrë fund kjo krizë politike, që po përjeton Shqipëria.

SHKARKO APP