Ajo çfarë na mësoi fëmijëria jonë për prindërimin

Nga Albert Vataj
Pavarësisht se janë shkruar libra të panumërt, janë krijuar vepra arti në të gjitha gjinitë dhe zhanret, janë endur histori e janë modeluar sjellje prindërore, gjithçka e thënë dhe e bërë rezulton e pamjaftueshme. Sepse nuk ka një formulë të përkryer për të rritur dhe edukuar një fëmijë, as për të qenë një prind ideal. Gjithsesi, mësuesi më i pagabueshëm është përvoja, saktësisht fëmijëria jonë – ajo që na mësoi si të prindërojmë, ndoshta jo në mënyrën më të saktë, por në një formë që e vendos rolin tonë në trajtën e një misioni.
Ajo çfarë fëmijëria jonë na mësoi si prindër, është se fëmijët tanë janë të tillë, por nuk janë fëmijëria jonë. Shumë prej nesh kaluan një fëmijëri të ndrydhur nga pamundësitë, të lënduar nga mospërfillja, të traumatizuar nga një prindërim i rreptë, ishim fëmijë pa fëmijëri. Por kjo ishte fëmijëria jonë, e cila nuk mundej të zgjidhej e as të ndryshohej, pavarësisht kushteve, mungesave apo padëshirës së atyre që na dhanë një fëmijëri që duhej të ishte ndryshe – por mbeti e jona, e pandryshueshme në rrënjë. Le ta quajmë: fati i mirë i një fëmijërie të vështirë, që na mëkoi dhe na mësoi të jemi prindër, ndoshta jo më të mirë se tanët, por sigurisht ndryshe – shumë ndryshe nga ata.
Çfarë mësuam, pra, nga fëmijëria jonë si prindër?
Ndoshta mësuam, duke mbetur ende pak fëmijë brenda vetes, të kuptojmë më mirë fëmijët tanë, jo plotësisht, por mjaftueshëm sa për të ndërtuar një portret prindërimi që nuk kemi pse ta druhemi kur të bëhemi gjyshër.
Një nga gjërat më të rëndësishme që fëmijëria na ka mësuar, është se fëmija nuk ka nevojë vetëm të ushqehet e vishet mirë, por të dëgjohet me vëmendje, në mënyrë që të mos ndihet as i tepërt, as i përjashtuar. Të ndihet i vlerësuar, në mënyrë që vetëbesimi i tij të mos pengohet nga barrierat e pamundësive dhe ndjesisë së paaftësisë që na rrethoi dikur ne.
Fëmija nuk ka nevojë për tutor, por për prindër, prindër që nuk duhet të teprojnë me asgjë, madje as me dashuri, përqafime apo puthje. Gjithçka ka nevojë për masë, për kuptim, për drejtim.
Mësuam se fëmija duhet të mbrohet, por jo të izolohet. Të këshillohet për të përballuar vështirësitë, duke ditur që prindi do të jetë aty për të kur ka nevojë, por jo si roje, jo si burg, jo si hijet që ndjekin pas.
Ata duhet të jenë motivi ynë për të sfiduar veten, jo barrë. Edhe pse ndonjëherë pamundësitë na sprovojnë fort, ne nuk duhet të lejojmë që prania e fëmijëve të kthehet në një mbingarkesë. Vlera jonë si prindër nuk matet me plotësimin e çdo teke të tyre, por me sakrificat që bëjmë, që ata të kenë një fëmijëri prej së cilës nuk nxitojnë të dalin, por e ruajnë si ditar të shenjtë.
Pak e vështirë për ne, me karakterin dhe personalitetin që na është formuar, është t’u japim të drejtë fëmijëve tanë. T’ua pranojmë atë dhe ta njohim si një vlerë që do t’i udhëheqë me dinjitet në jetë.
A i kemi pyetur ndonjëherë se çfarë mendojnë për mënyrën si i trajtojmë? Për atë që, sipas tyre, duhet të ndryshojë në marrëdhënien tonë? Për problemet, pasionet, dëshirat e tyre? Mbase ata kanë diçka më konkrete për të na thënë. Një orientim më të saktë për busullën e raporteve prind-fëmijë. Ëndrrat tona nuk janë patjetër edhe të tyret. Ambiciet tona të pathëna nuk duhet të bëhen korrigjimi i fëmijërisë së tyre.
Ata mund të mos dinë shumë gjëra për jetën, por edhe ne, në moshën e tyre, dinim më pak. Dhe më mirë se ata nuk mund ta dimë ne se çfarë duan. Përplasja ndërmjet brezash është e pashmangshme. Ne kemi më shumë mundësi të përshtatemi, sesa ata kanë të na kuptojnë. Dhe në këtë gjysmë udhe, është përgjegjësia jonë të ulim tonet, të ndryshojmë këndvështrimin.
Edhe në shkollim ka shumë ngërçe. Duhet të pranojmë që shkolla e sotme nuk është ajo që ishte për ne. Nuk duhet të kërkojmë nga fëmijët tanë të nënshtruarin që ishim ne, që tërhiqej përpara zërit të ngritur dhe urdhrave të autoritetit. Kjo strukturë na nënshtroi, por nuk na bindi. Na futi në rresht për të na udhëhequr më lehtë, por nuk na lejoi të ndjekim idealet tona.
Edhe pse sot shumë gjëra në arsim nuk funksionojnë siç duhet, fëmijët e rritur nga një prindërim i ndërgjegjshëm do të jenë ata që do ta përmirësojnë këtë sistem. Duhet të kuptojmë se metoda e shkollimit ka ndryshuar. Dhe nuk ka arsye të shqetësohemi nëse ata ndonjë ditë nuk shkojnë në shkollë, bëjnë ndonjë gabim apo nuk arrijnë notën që prisnim.
Të mbeturit në fëmijërinë tonë përballet shpesh me përditshmërinë e fëmijëve tanë. Ne ngulim këmbë, krahasojmë, e përkeqësojmë situatat. Harrojmë integritetin dhe personalitetin e tyre. Harrojmë që ata lëndohen më lehtë se ne dikur, sepse ata guxojnë të ndihen, ndërsa ne nuk mundeshim.
Ne kemi të drejtë të kërkojmë më shumë nga ata, sepse u kemi krijuar kushte që ne s’i patëm. Por s’mund të harrojmë se ata janë më të avancuar se ne, më të vetëdijshëm, më të lirë. Ata kanë mundësitë që ne i ëndërruam, dhe nuk kemi pse të ndjehemi inferiorë ndaj gjenialitetit të tyre, syçelësisë e kthjelltësisë që i përfaqëson.
Fëmijëria jonë na mësoi, ndër të tjera, edhe të dorëzohemi përpara epokës së teknologjisë. Sepse fëmijët tanë janë pjesë e kohës së tyre – një kohë që për ne duket e jashtëzakonshme, por për ta është natyrshmëria vetë. Ata jetojnë me shpejtësinë e botës moderne dhe kërkojnë nga ne jo të jemi më të zotë se ta, por më të kuptueshëm.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?