AKP: Si të korrigjoni gabimet në renditjen e degëve për universitetin

Pas mbylljes së aplikimeve për kandidatët që duan të vijojnë studimet e larta në një nga universitetet publike, apo private të vendit, Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP), ka shpallur gjatë ditës së djeshme Librin e Transparencës, me rezultatet e provimeve dhe renditjen e degëve të bërë nga mijëra maturantë që kërkojnë të fitojnë universitetin për vitin e ri akademik 2016-2017. Libri me rezultatet dhe të dhënat e çdo kandidati tashmë ka nisur të shpërndahet për të 38 drejtoritë arsimore të vendit. Sipas AKP-së, në këtë libër detajohen të gjithë elementët, me të cilët maturantët garojnë për të fituar studimet e larta në një nga 10 preferencat e renditura gjatë plotësimit të formularit të aplikimit. Çdo kandidat gjen në këtë libër, të gjithë treguesit e rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme dhe provimeve të maturës, që kanë të bëjnë me: “Notën e përgjithshme mesatare të viteve të shkollimit të mesme, plus provimet e maturës, rezultatin e provimit të letërsisë, të provimit të matematikës, provimit të gjuhës së huaj, si dhe rezultatet e të dy provimeve të lëndëve me zgjedhje të detyruar”. Gjithashtu, në këtë libër janë publikuar edhe 10 preferencat e përzgjedhura prej çdo maturanti që kërkon të fitojë studimet e lata gjatë këtij viti. “Libri i Transparencës përmban të dhënat e maturantëve të çdo shkolle të vendit.

Për çdo shkollë janë renditur vetëm maturantët e saj, të cilët kanë rezultuar kalues në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore dhe kanë aplikuar online me formularin e aplikimit në universitete. Nuk përfshihen në këtë libër rezultatesh kandidatët që nuk kanë kaluar qoftë edhe në njërin prej pesë provimeve, pra janë vlerësuar me notën 4. Secili kandidat maturant ka hapësirën e tij në librin e transparencës, ku në rreshtin e parë jepen: “Numri rendor, numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të maturës, në pjesën majtas poshtë janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 6 elementeve vlerësuese të maturës. Më tej vijohet me preferencat e kandidatit, të renditura siç janë përzgjedhur prej tij në formularin e aplikimit për universitet. Preferencat përmbajnë kodin (ID) e programit të studimit, emërtesën e programit të studimit”, bën me dije AKP. Po sipas drejtuesve të këtij institucioni, në librin e transparencës nuk paraqiten gjeneralitetet e kandidatit (emri, atësia, mbiemri dhe ditëlindja) me qëllim që të mbrohen të dhënat e tij personale. Pas verifikimit të të dhënave të detajuara në këtë libër, secili kandidat që ka aplikuar për të fituar universiteti mund të kontestojë me anë të Formularit të Korrigjimit të Pasaktësive, ndonjë parregullsi që vëren në të dhënat e tij, sa i takon mesatares së llogaritur, notave të provimeve, apo renditjes së degëve ku do të vijojë universitetin. Në rast të konstatimit të këtyre pasaktësive duhet të kërkohet për rishikimin e tyre. Për çdo ndryshim, do të kërkohet dokumentim zyrtar nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë arsimore të rretheve.

Si duhet të plotësohet Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive

Swiss Digital Desktop Reklama

Ky formular është përgatitur për të evidentuar pasaktësitë që mund të shfaqen në Librin e Transparencës për maturantët e të gjitha rretheve. Kur konstatohen pasaktësi maturanti duhet të paraqitet në shkollë, të marrë këtë formular dhe ta plotësojë. Ky formular u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e detajuara në Librin e Transparencës. Në pjesën e parë është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për rrethin, bashkinë/komunën, shkollën dhe ID e maturantit. Në çdo kuti shkruhet vetëm një shkronjë, ose një numër. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numrat me shifra arabe. Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit që kërkon ndryshime të dhënash në bazën e të dhënave. Në pjesën e dytë, në seksionin “Si ishte”, janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: “Emri, atësia, mbiemri, datëlindja, nota mesatare (me shifra dhe me shkrim). Praktikisht këto të dhëna janë si në librin e transparencës. Ndërsa në seksionin tjetër “Si bëhet”, do të plotësohen vetëm ato të dhëna ku kërkohet ndryshimi. Për shembull nëse kërkohet ndryshim tek emri, tek rreshti emri shkruhet si duhet të jetë emri i saktë. Mund të ndodhë të kërkohen dy ose më shumë ndryshime, si për shembull datëlindja edhe nota mesatare e shkollës së mesme. Pasi kërkesa për ndryshimet të jetë plotësuar me kujdes, maturanti shkruan më tej: “Emrin, mbiemrin dhe firmos në vendin përkatës. Këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, drejtori i shkollës, që pasi firmos vendos dhe vulën e shkollës, si dhe nga kreu i drejtorisë së arsimit të rrethit përkatës ku ndodhet shkolla e mesme që maturanti ka kryer, i cili gjithashtu firmos dhe vulos këtë formular. Vëmë në dukje se të dhënat që kanë lidhje me notat si: mesatarja, D1, D2, D3, Z1, Z2 konsultohen nga ana e specialistëve të AKP-së, me bazën e të dhënave dhe më pas konfirmohen nga drejtori i AKP-së”, detajohet në udhëzimin e plotësimit të formularit të pasaktësive.

Swiss Digital Mobile Reklama

Afatet e dorëzimit të formularëve

Pas plotësimit të këtij formulari, nga maturanti përkatës dhe konfirmimit zyrtar me firmë dhe vulë nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë e arsimit, këto të fundit duhet të përcjellin brenda mesditës së dielës, datë 21 gusht në AKP, të gjithë formularët e kandidatëve që kanë vërejtje me rezultatet e shpallura. Më pas hedhja e korrigjimeve në bazën e të dhënave në sistem bëhet nga specialistët e AKP-së. Me mbylljen e kësaj procedure të gjitha këto të dhëna u përcillen universiteteve publike dhe private, të cilat do të bëjnë edhe renditjen finale të fituesve sipas kritereve të përcaktuara prej tyre.

Rezultatet e programeve me konkurs

Për maturantët dhe kandidatët e tjerë, të cilët ndër preferencat e përzgjedhura për vijimin e studimeve të larta, kanë dhe programe studimi që parashikojnë zhvillimin e konkurseve, pikët për këto programe studimi do të dalin pas publikimit të rezultateve të konkurseve nga ana e universiteteve. AKP u përcjell universiteteve brenda datës 30 gusht 2016, të gjitha të dhënat e lidhura me rezultatet vjetore të maturantëve dhe kandidatëve, të cilat do t’u shërbejnë këtyre universiteteve për përllogaritjen e pikëve, renditjen dhe shpalljen e fituesve. “Kjo është mundësia fundit i konkurrentëve për saktësimin e të dhënave të tyre. Çdo konkurrent që ka plotësuar Formularin e Aplikimit në institucionet e arsimit të lartë, është përgjegjës për të dhënat e tij, si edhe respektimin e afateve për përcjelljen e pasaktësive nëse ka të tilla”, sqarohet nga AKP.

Si bëhet përllogaritja e mesatares

Nota mesatare për të konkurruar për universitetin përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:

  • Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit  në  arsimin e  mesëm të lartë;
  • Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore.
  • Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare

Si do shpallen fituesit në fakultetet e Universitetit të Tiranës

Sipas vendimit të marrë nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës, për shpalljen e fituesve në të 6 fakultetet më të kërkuara të vendit, do jenë dy. Konkretisht bëhet fjalë për notën mesatare të shkollës së mesme, për të gjitha vitet, përfshirë këtu edhe provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje. Kjo mesatare vlerësohet në masën 50 për qind, dhe llogaritet si mesatare e thjeshtë. Ndërsa kriteri i dytë përfshin notën mesatare të grup-lëndëve (për të gjitha vitet ku shtrihen lëndët), të përzgjedhura nga fakultetet për çdo program studimi të ciklit të parë. Edhe ky kriter do të ketë 50 për qind të peshës në përzgjedhjen e fituesve.

Kushtet e përzgjedhjes së fituesve në 3 fakultetet e Universitetit të Mjekësisë

Kriteret e pranimit të studentëve në ciklin e parë (Bachelor) dhe në ciklin e dytë të integruar në Universitetin e Mjekësisë,Tiranë janë, si në vijim:

-Nota mesatare e Maturës Shtetërore do ketë 35 për qind të peshës në përzgjedhjen e fituesve.

-Nota mesatare e 3 viteve të shkollës së mesme po ashtu vlerësohet me 35 për qind të peshës.

-Ndërsa lëndët formuese me 30 për qind nga ku janë përcaktuar si lëndë prioritet, kimia, fizika dhe biologjia.

-Studentët që aplikojnë në programet e studimit të ciklit të parë dhe ciklit të dytë të integruar në  Universitetin e Mjekësisë, Tiranë duhet të plotësojnë kriterin e mesatares mbi 8.5 për degët e Fakultetit të Mjekësisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë, ndërsa mbi 8 për degët e fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike.

 Kushtet e shpalljes së fituesve në degët e Universitetit Politeknik

Sipas kritereve të miratuara tashmë nga ky institucion, për ndjekjen e programeve të studimit të ciklit të parë 3-vjeçar “Bachelor”, si dhe programeve të integruara të studimit të ciklit të dytë, kandidatët do do të renditen sipas pikëve të grumbulluara nga llogaritja e rezultateve të shkollës së mesme nëpërmjet formulës:[0.7 x Nota mesatare + 0.3 x (mesatarja e Matematikës+ mesatarja e Fizikës+mes Kimisë)/3] x Koeficientin e shkollës.

Nota mesatare – Nota mesatare e të gjitha viteve të shkollës së mesme

Koeficienti i shkollës- Varion nga 1.0 në 1.4, sipas llojit të shkollës së mesme. Është zbardhur edhe tabela e koeficienteve për të gjitha shkollat e mesme, si dhe për çdo program studimi të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimit të ciklit të dytë në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Mesatare Matematikë, Fizikë dhe Kimi– Janë notat mesatare të këtyre lëndëve në të gjitha vitet e shkollës së mesme.

Kriteret për shpalljen e fituesve në Universitetin Bujqësor të Tiranës

Autoritetet e këtij universiteti bëjnë me dije se në procesin e pranimeve të reja për studimet pranë këtij universiteti, për vitin akademik 2016-2017, në të gjitha programet e studimit do të aplikohen tre kritere. – Kriteri i meritës së kandidatit që përcaktohet nëpërmjet mesatares së shkollës së mesme.

  • Kriteri i rëndësisë, që përcaktohet nga koeficienti i vendosur prej fakulteteve të këtij universiteti, për shkollën nga vjen maturanti, në lidhje edhe me përputhshmërinë me fushat dhe programet e studimit të fakulteteve.
  • Kriteri që bazohet në sasinë e kuotave të pranimit të miratuara nga MAS për secilin program studimi në këtë universitet.
  • Renditja e kandidatëve për çdo program studimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës, do të bëhet mbështetur në formulën: “Mesatare e shkollës së mesme, e shumëzuar kjo për vlerën e koeficientit për programin përkatës.

 Shpallja e fituesve në Universitetin e Arteve dhe të Sporteve

Ndryshe nga sa ndodh me programet e strukturat e tjera të arsimit të lartë, për këto dy universitete rezultatet e provimeve të maturës dhe mesatares së shkollës së mesme do të vlerësohen deri në 30 për qind në formulën finale të shpalljes së fituesve. Testimet individuale (konkurset e pranimit) që maturantët dhe kandidatët e tjerë do të japin përgjatë muajit gusht, do të jenë vendimtare në selektimin e të gjithë kandidatëve që do të marrin statusin e studentit në pranimet e vitit të ri akademik 2016-2017.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?