Ilir Proda i përjashtoi, por Komisioni i Ankimit rikthen në detyrë drejtuesit e policisë në Lezhë
Komisioni i Ankimimit në Policinë e Shtetit ka ndryshuar vendimin fillestar të Standardeve Profesionale të dhënë pak javë më parë për ish-drejtuesit e Policisë së Lezhës. Masat ishin kërkuar nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, i cili u shkarkua nga detyra.
Për ish-drejtorin Altin Mena, burime bëjnë me dije se është vendosur shtyrje gradimi për 3 muaj, duke rrëzuar masën e parë që ishte ulje në gradë për 5 vjet.
Për zv/drejtorin për rendin, Taulant Gjoka, u vendos shtyrje afati gradimi për 6 muaj, duke rrëzuar vendimin fillestar për përjashtim nga policia. Përjashtim fillimisht pati edhe për shefin e Komisariatit të Lezhës, Oltion Gjoni, por Komisioni i Ankimit vendosi ta rrëzojë, duke dhënë vendim shtyrje afati gradimi për 1 vit.
Edhe për zv/drejtorin e Policisë së Fierit, Oliger Torba, komisioni rrëzoi masën e parë për ulje grade, duke vendosur përfundimisht vetëm vërejtje. Këtë të martë, komisioni shqyrtoi rreth 25 ankesa nga punonjës të ndryshëm policie, për të cilët ishin firmosur masa të ndryshme.

