Aksident i rëndë, humb jetën gazetari Enrik Mehmeti
Gazetari Enrik Mehmeti ka humbur jetën mbrëmjen e sotme si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në zonën e plazhit të Porto Noves, në Zvërnec.
Sipas informacioneve paraprake nga autoritetet, 40-vjeçari ishte duke udhëtuar me një mjet motorik me katër rrota, kur gjatë lëvizjes dyshohet se ka kryer një manovër të gabuar. Për pasojë, ai ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili është përmbysur dhe është rrokullisur disa herë në terren.
Aksidenti ka qenë i rëndë, pasi gjatë përmbysjes së mjetit, një pjesë metalike e tij e ka goditur gazetarin në pjesën e kraharorit, duke i shkaktuar plagë të rënda dhe dëmtime të cilat rezultuan fatale.
Menjëherë pas ngjarjes janë njoftuar shërbimet e emergjencës, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e parë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe ndërhyrjes së shpejtë, Mehmeti nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Lajmi i ndarjes nga jeta të gazetarit ka shkaktuar tronditje te kolegët, miqtë dhe të gjithë ata që e njihnin. Enrik Mehmeti ishte një emër i njohur në fushën e medias dhe prej vitesh ushtronte profesionin e gazetarit, duke kontribuar në informimin e publikut.
KOHA JONË SONDAZH

